Pas kërcënimeve të shumta dhe sulmeve ndaj lojtarëve dhe lojtareve të tenisit, policia federale investigative do të monitorojë mesazhet e intimiduesve gjatë turneut të “Indian Wells”.
Kërcënime me vdekje, veçanërisht pas humbjeve të papritura, fyerje dhe sulme raciste: në “Indian Wells”, që zhvillohet nga 4 deri më 17 tetor, do të zbresë në fushë edhe FBI-ja, që do të monitorojë dhe kontrollojë mesazhet intimiduese në rrjetet sociale drejtuar lojtarëve dhe lojtareve. Gjatë muajve të fundit ka pasur denoncime të ndryshme abuzimesh në rrjetet sociale dhe tani “Atp” dhe “Wta”, federatat e tenisit të meshkujve dhe femrave, kanë njoftuar sportistët se do të jetë e pranishme FBI-ja, që do të merret me abuzimet që vijnë nga rrjetet sociale.
Rastet janë shtuar shumë muajt e fundit. Në “Us Open” i ndodhi Sloane Stefens, që pas humbjes në turin e tretë ndaj Kerber, u sulmua me mesazhe raciste dhe seksiste. “Jam njeri dhe pas ndeshjes ka marrë mijëra mesazhe fyese”, – shkruante ajo në Instagram. “Është shumë e vështirë të lexosh mesazhe të tilla, po postoj vetëm disa që ta kuptoni çfarë ndodh pas një humbjeje. Nuk flitet shumë, por kjo ta shpif”. Në një mesazh shkruhej: “Do të gjej dhe do të thyej njërën këmbë, që të mos ecësh më”.

Edhe Shelbi Roxhers, pas humbjes në turin e 4-t me Radukanun, deklaronte: “Më vijnë miliona kërcënime me vdekje dhe gjëra të tjera të kësaj natyre”.
Ditët e fundit ishte amerikanja Medison Keis që foli për sulmet në rrjetet sociale. “Jam shumë e frustruar nga fakti se platformat e rrjeteve sociale nuk bëjnë më shumë për të ruajtur profilet tona nga mesazhet e tmerrshme që na vijnë. Nuk është mirë për ne të marrim kërcënime me vdekje në ditët tona më të këqija, por edhe çdo ditë… E di që u ndodh edhe sportistëve të tjerë, miqve të mi dhe famijëve, ndaj do të flas derisa rrjetet sociale të jenë më të sigurta për të gjithë. Faleminderit që jeni gjithmonë me mua”.

E ndërsa shoqatat e tenistëve profesionistë kanë nisur të punojnë me platformat e rrjeteve sociale për zgjidhjen e këtij problemi në vazhdim, në “Indian Wells” është vepruar menjëherë me një ndërhyrje urgjente.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




