Kryeministri Edi Rama mblodhi ministrat dhe titullarët e institucioneve qendrore që kryejnë prokurime publike për t’i njoftuar mbi paketën e re ligjore të tenderave dhe paralajmëruar për rekomandimet e Agjencisë së Prokurimeve Publike.
“Është e patolerueshme që rekomandimet e Agjencisë së Prokurimeve Publike të mos kenë asnjë përgjigje. Çdo rast i tillë do të shkojë në SPAK dhe jo vetëm që do të shkojë, por do të shkojë nga kjo godinë. Indiferentët përkatës, këtë çështje ta shpjegojnë duke marrë avokat me vete", deklaroi Rama.
Kryeministri nuk dha shumë detaje nga paketa e re ligjore e tenderave, por tha se ajo do të adresojë një sërë rekomandimesh të partnerëve ndërkombëtarë, do të heqë tenderat me negocim pa garë dhe do t’u ofrojë institucioneve prokuruese mekanizmat e nevojshëm që të realizojnë procese transparente tenderimi.
Ashtu si në takimin e thirrur me kryebashkiakët pas arrestimeve të SPAK në Lushnje, ku në pranga përfundoi edhe kryebashkiaku Fatos Tushe, edhe ministrave dhe drejtuesve të institucioneve Rama u bëri me dije gjetjet e analizës vjetore të APP-së për tenderat e prokuruar prej tyre.
Rama tha se APP ka gjetur se 70 për qind e tenderave janë kategorizuar si me probleme. Ai kërkoi që të shmangen kriteret që nuk lidhen me objektin e tenderit dhe kritere të tjera që shërbejnë për të favorizuar njërën apo tjetrën kompani.
"Shmangia e kritereve të qepurave me dorë që kufizojnë konkurrencën me paketën ligjore është mundësuar që të adresohet me efikasitet. Tërheqjet nga gara, rrotacionet në ofertim, ofertimet fiktive dhe duhen marrë masa që të merren hetime administrative për këto raste”, tha Rama.
Mes gjetjeve të APP-së për tenderat e institucioneve qendrore përgjatë vitit të kaluar thuhet se 30 deri në 50 për qind e tyre, në varësi të institucioneve prokuruese janë realizuar me vetëm një kompani pjesëmarrëse.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.