Para

Tenderat / Gjatë 2020 u rritën me 150 mln euro, por ankimimet u ulën

Përgjatë vitit 2020, Qeveria, bashkitë dhe institucionet e tjera të cilave ligji u njeh të drejtën të prokurorojnë tendera, ankande apo koncesione dhanë rreth 154 mld lek, ose rreth 150 mln euro më shumë në krahasim me 2019-ën.

Gazeta “Si” ka krahasuar të dhënat e publikuara në dy raportet e hartuara nga Komisioni i Prokurimeve Publike. Në raportin për 2019-ën, thuhet se fondi limit i prokuruar përgjatë këtij viti ka qenë rreth 110.6 mld lek, ndërsa për 2020 ky fond është 264 mld lek, ose rreth 260 mln euro.

Rreth një e treta e kësaj shume, ose rreth 100 mln euro, është prokuruar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, ndërsa rritja e fortë e vlerës së tenderave deri diku mund të justifikohet me situatën e pandemisë dhe procesin e rindërtimit nga pasojat e tërmetit.

Por, megjithë rritjen e fortë të parave të dhëna në tendera, në raportin e 2020-s, Komisioni i Prokurimit Publik thotë se ka një ulje të ankimimeve në krahasim me 2019-n.

“Në një total prej 741 ankesash, krahasuar kjo me vitin paraardhës 2019, gjatë të cilit, pranë Komisionit të Prokurimit Publik janë dorëzuar 1052 ankesa. Duke krahasuar numrin e ankesave të depozituara gjatë vitit 2019 dhe vitit 2020, vihet re një ulje me rreth 29.6 % ndaj atyre të vitit 2019”, thuhet në raport.

Pesha që zënë tenderat e ankimuar në vlerë financiare në totalin e fondeve të prokuruara është rreth 9 për qind, ose 24 mld lek, apo rreth 24 mln euro.

Për 2020, numrin më të madh të ankesave e zënë ato në lidhje me procedurat e prokurimit për kontratat për shërbime me 342 të tilla, prej të cilave 94 ankesa janë për shërbimin e ruajtjes fizike, për kontratat për mallra me 317 ankesa, duke vijuar me ankesat për kontratat për pune publike me 73 ankesa.

Operatorët ekonomikë kanë ankimuar më së shumti në KPK, Agjencinë për Blerjet e Përqëndruara, Autoritetin Rrugor Shqiptar dhe Ministrinë e Shëndetësisë, kryesisht për fazën e vlerësimit të ofertave dhe për dokumentat standarde të tenderit.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura kryeson fort te lista e ankimimeve që lidhen me shërbimin e ruajtjes.

Ankesa më e madhe për tenderat në kategorinë “Shërbime” ka pasur më shumë për tenderat e organizuar nga Instituti i Shëndetit Publik, që përgjatë 2020 ka pasur një rritje të fortë të numrit të tenderave për shkak të pandemisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë