Para

Tendera të fryrë sigurie, karburant e orendi! Si shpenzohen paratë e studentëve

Për thuajse gjashtë muaj, pesë universitetet më të mëdha publike në vend kanë shpenzuar 12.2 milionë euro, para me burim kryesor tarifat dhe taksat që këto institucione të arsimit të lartë i mbledhin nga studentët e tyre.

Sipas shifrave të publikuara nga “Qëndresa Qytetare”, që ka monitoruar paratë e shpenzuara nga periudha 1 shtator 2018 deri më 15 shkurt 2019, zërin kryesor e zë kategoria “shpenzime personeli”, që janë pagat për pedagogët dhe gjithë stafin tjetër të universiteteve, me përjashtim të Universitetit të Tiranës, ku shpenzimet për personelin nuk janë deklaruar.

Nën monitorim më të imtësishëm kanë qenë Universiteti i Tiranës, Politekniku, Universiteti i Korçës, Elbasanit, Durrësit dhe Shkodrës. Nga vëzhgimi është dalë në përfundimin se në këtë periudhë kohore, pesë nga shtatë universitetet publike nuk kanë hedhur asnjë cent në zërin studime dhe kërkime shkencore.

Vetëm 0.9 për qind e shumës totale ka shkuar për këtë qëllim, në një institucion që në vetvete duhet të përqendrohet tek studimi. Por, më shumë se tek studimi, universitetet janë përqendruar tek siguria. 1.6 milionë euro, ose rreth 8 për qind e shpenzimeve totale të kësaj periudhe kanë shkuar në zërin për sigurinë e godinës.

Universiteti i Tiranës ka shpenzuar 177 mijë e 700 euro për të ruajtur godinat e tij në këtë hark kohor, ndërkohë që më 7 mars ka nënshkruar një tjetër kontratë me vlerë 436 mijë e 500 euro për sigurinë për një vit. Studimi dhe kërkimi shkencor është 0 lekë për UT.

“Dorëlëshuar” në tenderat për sigurinë janë treguar të gjitha universitetet, që kanë vendosur fonde të majme për këtë shërbim që ofrohet nga kompanitë e ruajtjes dhe sigurisë fizike private. Ironik është fakti që edhe pas protestës së studentëve në fund të vitit të kaluar ka patur pak reflektim nga drejtuesit e universiteteve, që kanë vazhduar sërish me tenderat e majmë për sigurinë.

I vetmi reflektim ka mbërritur nga Universiteti i Tiranës, që më 31 dhjetor 2018 ka hapur dy tendera me vlerë totale rreth 44 milionë lekë për blerje pajisjeje laboratorike për Fakultetin e Shkencave të Natyrës.

Megjithatë, kjo shumë nuk zbeh shifrat e çuditshme që universitetet në vend kanë përdorur për shërbime të tjera. Kështu, Universiteti i Shkodrës ka shpenzuar 24 mijë euro për blerjen e një makine, ai i Korçë dhe Elbasanit kanë shpenzuar përkatësisht nga 24 mijë dhe 22 mijë euro për karburante.

Universiteti “Luigj Gurakuqi” në Shkodër ka shpenzuar plot 380 mijë euro në gjashtë muaj për pajisje dhe orendi zyre, ai i Tiranës 190 mijë po për këtë qëllim dhe 80 mijë ka shpenzuar Universiteti “Aleksandër Moisiu”. Në tre universitetet janë shpenzuar zero lekë për blerje librash.

Ministria e Arsimit thotë se gjatë një kontrolli në Universitetin e Tiranës kanë gjetur në 16 raste shkelje të Rektorit Mynyr Koni. Raporti i hartuar nga grupi i Ministrisë flet për tejkalim kompetencash dhe mospërputhje mes buxhetit faktik dhe atij të miratuar nga Senati.

Ndaj Konit, të pezulluar tashmë, Prokuroria e Tiranës ka nisur procedimin penal me akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, ndërkohë që vetë ai i cilëson akuzat sulme politike. Koni thotë se grupi prej pesë anëtarësh i Ministrisë së Arsimit kishte konflikt interesi, pasi anëtarët e tij kanë qenë administratorë në bordet e universiteteve të tjera, që si mision real kishin mbylljen e shkeljeve që kishin bërë vetë, se grupi gënjen në raportin final dhe për këtë po hetohen nga Prokuroria pas kallëzimit të Universitetit të Tiranës.

Qeveria vetë ka në dorë vetëm pezullimin dhe dërgimin e kërkesës për shkarkim tek Presidenti i Republikës. Kjo kërkesë është dorëzuar dhe brenda 30 ditëve, Ilir Meta duhet të vendosë për ta miratuar apo refuzuar këtë hap.

Rektori Koni i kërkon Metës që të tregohet i kujdesshëm në vendim.

“Dua t’i kërkoj Presidentit të Republikës së Shqipërisë, që me seriozitetin dhe gjakftohtësinë që e karakterizon, ta shikojë me shumë kujdes këtë rast, jo për Mynyr Konin, por për Universitetin e Tiranës, për vetë rëndësinë, historinë dhe domethënien që ka ai në arsimin e lartë në vend. Gjithashtu, dua të shpreh gadishmërinë time për çdo sqarim me institucionin e Presidentit në lidhje me këtë çështje kaq delikate dhe të rëndësishme dhe mbetem i gatshëm për të vënë në dispozicion çdo dokument zyrtar që unë disponoj”, deklaron ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë