Dëbora ka pushtuar zona të tëra të vendit. Përveç Llogarasë dhe disa zonave të tjera të larta, sot reshjet e borës kanë zbardhur edhe Fierin, por edhe Liqenin e Pogradecit.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka udhëzuar drejtuesit e automjeteve të bëjnë kujdes në lëvizje, teksa i këshillon që të kenë zinxhirë dhe goma dimërore.
“Në Llogara kanë filluar reshje të dëborës. Mjetet borëpastruese dhe grupet e punës janë në terren për pastrimin dhe trajtimin me kripë. Qarkullimi kryhet pa probleme. Drejtuesit e mjeteve duhet të bëjnë kujdes në lëvizje dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore, të reduktojnë shpejtësinë, të pajisen me zinxhirë dhe goma dimërore dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugore,” thuhet në një postim.
Sinoptikanët gjatë ditëve të fundit kishin njoftuar se vendi do të përfshihet nga moti i keq dhe se temperaturat do të zbrisnin në -17 gradë Celsius.
Temperaturat e ulta të këtyre ditëve kanë sjellë një fenomen jo normal edhe për Fierin, reshjet e borës. Edhe pse jo me intensitet të lartë, flokët e borës kanë filluar të bien këtë pasdite në këtë qytet.
Ndërkaq reshjet e dëborës kanë shkaktuar probleme në zonat malore të vendit, kryesisht në akset rrugore dhe mungesë të energjisë elektrike. Autoritetet vendore kanë njoftuar se rrugët janë të kalueshme vetëm me zinxhirë, ndërsa grupet e OSHEE-së po punojnë për rikthimin e energjisë në zonat ku raportohen problemet.
I gjithë vendi është “pushtuar” nga një valë ekstreme e të ftohtit me temperatura të ulëta. Veç temperaturave shumë të ulëta, pritet të fryjë edhe erë deri me shpejtësi 60 km/h nga drejtimi verior-verilindor.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes njofton se situata është nën kontroll. Ministria thotë se bazuar edhe në parashikimet e Shërbimit Meteorologjik, të gjitha strukturat e emergjencave civile në të gjitha qarqet e vendit, koordinuar nga Agjencia e Mbrojtjes Civile kanë qenë të angazhuara prej momentit të parë.
Sipas informacioneve të marra nga prefekturat, bashkitë dhe ARRSH reshjet kanë pushuar dhe situata sot është nën kontroll.
Qarkullohet me zinxhirë në Rrugën e Arbrit, Qarku Dibër. Është e bllokuar rruga Peshkopi-Lurë, por lëvizet në aksin Lurë-Rrëshen dhe Xibër-Klos me zinxhirë. Punonjësit e ARRSH ndodhen në terren që prej ditës së djeshme edhe në akse të tjera të vendit, ku në disa zona vijon normalisht qarkullimi, por me zinxhirë.
Po ashtu po punohet nga grupet e OSHEE për kthimin e energjisë në njësitë Kala e Dodës, Reç, Lurë, Selishtë të bashkisë Dibër si dhe në fidrin 6, njësia administrative Lunik, bashkia Librazhd.
Ministria thotë se meteorologët parashikojnë rënie të mëtejshme të temperaturave nën zero, ndaj u bën thirrje të gjithë qytetarëve, veçanërisht atyre në zonat e thella malore të bëjnë kujdes, të ndjekin këshillat e bëra publike nga Agjencia e Mbrojtjes Civile dhe të njoftojnë autoritetet vendore në rast nevoje.
Ndër të tjera, ministria thotë se të gjitha strukturat e saj janë të angazhuara në çdo moment për të qenë pranë qytetarëve në këto ditë me temperatura ekstreme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.