Keshilla

Temperaturat po çmenden, atëherë si mund të fle më mirë në këtë vapë?

Temperaturat e larta mund të bëjnë kërdinë në gjumë. Në kushte ideale, temperatura e trupit tuaj fillon të bjerë me disa gradë rreth një deri në dy orë para gjumit - dhe vazhdon të bjerë gjatë gjumit, tha Leslie Swanson, një psikolog klinik dhe profesor i asociuar i psikiatrisë dhe Laboratori Kërkimor Circadian në Universitetin e Miçiganit.

Ky efekt i brendshëm ftohës na ndihmon të arrijmë fazën e thellë dhe restauruese të gjumit të njohur si gjumi me valë të ngadalta.

Por "kur temperatura e ambientit është e lartë jashtë, ajo parandalon që temperatura e trupit tonë të bjerë aq shpejt aty ku duam të jetë në mënyrë që të lehtësojmë gjumin," tha Dr.Swanson.

Kjo jo vetëm që e bën më të vështirë faktin që të flesh gjumë, por gjithashtu mund të shkaktojë zgjime të shpeshta gjatë natës.

Ndonëse mund të jetë e vështirë që të flini kur ju dhe dhoma juaj është e ngrohtë, ka gjëra që mund të bëni për të dremitur më mirë.

Bëni atë që mundeni për të ftohur dhomën tuaj të gjumit. “Ne priremi të bëjmë gjumë më të thellë në një dhomë gjumi të freskët”, tha Philip Gehrman, psikolog klinik në Qendrën e Gjumit Penn në Universitetin e Pensilvanisë. Ai madje vuri në dukje faktin se "disa njerëz, sapo të hyjë vera dhe ata të ndezin kondicionerin, janë të prirur të flenë më mirë sepse po e mbajnë dhomën e gjumit më të freskët se sa në pranverë ose vjeshtë"

Kështu që freskoni ajrin në dhomën tuaj. Nëse nuk keni akses në ajër të kondicionuar, përdorni një ventilator për të ndihmuar që ajri të qarkullojë në dhomën tuaj.

Rritja e rrjedhës së ajrit nëpër sipërfaqen e trupit tuaj ndihmon në shkarkimin e nxehtësisë, tha Dr. Justin Fiala, specialist i kujdesit kritik pulmonar dhe mjekësisë së gjumit në Northwestern Medicine.

Qëndroni të hidratuar. Nëse nuk mund ta ulni temperaturën e dhomës, trupi juaj do t'i drejtohet një metode tjetër për t'ju ftohur: djersitja. Mbani pak ujë pranë shtratit tuaj për t'u siguruar që mund të kompesoni lëngjet që po humbisni. "Ju në fakt do të humbni shumë nga vëllimi i ujit vetëm përmes djersës," tha Dr. Fiala.

Përdorni shtrat të lehtë. Megjithëse mund të tundoheni të hiqni dorë nga çdo lloj batanije në mot të nxehtë, mënyra më e mirë për të ndihmuar trupin tuaj të rregullojë temperaturën e tij është të përdorni një çarçaf të lehtë veror, tha Dr. Fiala. Sidoqoftë, sigurohuni që të jetë një nga ato nën të cilat mund të lëvizni lehtësisht, në mënyrë që të mund të nxirrni këmbën jashtë ose një gjymtyrë tjetër për të ndihmuar në ftohjen e trupit

Shmangni një dush të ftohtë menjëherë para gjumit. Ndërsa zhytja në ujë të ftohtë do të ndihmojë trupin tuaj të ulë temperaturën e tij, ka të ngjarë që ajo nuk do t'ju ndihmojë me cilësinë e gjumit tuaj. "Nuk është treguar efektiv dhe mund të jetë disi stimulues," tha Dr. Fiala.

Uji i ftohtë mund të jetë një 'tronditje' për trupin, duke ju mbajtur zgjuar për më gjatë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë