Politike

Teliti: Qeveria teknike dhe zgjedhjet e lira, e vetmja rrugë për shtetin ligjor

Këshilltari për çështjet ekonomike në PD, Dorian Teliti tha përmes një deklarate për mediat se, një ndër arsyet kryesore të shpopullimit të Shqipërisë në këto 11 vite ka qenë dhe mbetet ekonomia e dobët shqiptare. Dhe jo vetëm.

“Ekonomia e goditur nga politikat dhe praktikat e dëmshme qeveritare, ekonomia gjithnjë e më shumë në krizë të thellë.

Fundosjen ekonomike tashmë nuk po mundohet ta fshehë as vetë qeveria, pasi është vetë Instati qeveritar, që zyrtarizon krizën që ka kapluar disa sektorë të ekonomisë.

Dy janë sektorët më të goditur: industria dhe bujqësia.

Në publikimin mbi ecurinë e ekonomisë në tremujorin e parë 2024, INSTAT vëren se sektori i industrisë, energjisë dhe ujit shënoi rënien e rradhës, me një ulje vjetore 1.05%, dhe sektori i bujqësisë pësoi rënien e mëtejshme prej 1.73%.

Goditja që i është bërë sektorit të industrisë dhe sidomos asaj përpunuese, e cila ka në bazë eksportet shqiptare është treguesi më i qartë i braktisjes nga qeveria, sidomos në këto dy vitet ku euro ka shënuar zhvlerësimin më të lartë në historikun post-komunist.

Rënia me 6.8% e industrisë përpunuese, e cila është praktikisht në të njëjtat trende renieje me ato të vitit të kaluar, ku ulja ishte 6%, i vendosin njëherë e mirë kapakun shpresave të qindra sipërmarrësve shqiptare që prisnin që qeveria tu jepte një mbështetje për të kaluar krizën e thellë tashme pothuajse 2 vjecare” renditi Teliti. Sipas tij Shqipëria dhe Tirana floën si reagim ndaj kësja situate në protestën e të enjtes.

“Shqipëria dhe Tirana folën njëzëri pardje, të bashkuar në betejën ndaj padrejtësive, braktisjes, keqqeverisjes, klientelizmit, korrupsionit.

Krijimi i qeverisë teknike dhe zgjedhjet e lira e të ndershme, janë e vetmja mënyrë për të risjellë demokracinë dhe shtetin ligjor, për të rikthyer vemendjen te individi, qytetari dhe sipërmarrja.

Partia Demokratike ka një program të qartë dhe angazhim serioz për ekonominë, duke filluar që me uljen e ndjeshme të taksave, miratimin e minimumit jetik, mbështetjen konkrete të sipërmarrjes dhe prodhimit vendas”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë