Treg

Televizionet lokale janë kompensuar me 280 mijë euro për lirimin e frekuencave

Autoriteti i Mediave Audiovizive bën të ditur se televizionet lokale dhe rajonale kanë përfituar deri tani rreth 280 mijë euro kompensim për lirimin e frekuencave të tyre analoge, në kuadër të procesit të digjitalizimit.

Nga 1 milionë euro që është fondi i parashikuar për këta operatorë në ligjin “Për lirimin e frekuencave të Digjital Dividendit”,  vetëm më pak se 30% e tij është shpërndarë. 

Pjesa më e madhe e fondit ka shkuar për kompensimin e frekuencave të liruara në allotmentet e Tiranës dhe Fierit si një formë mbështetjeje për këto televizione, në mënyrë që ato të përballonin tarifën e mbështetjes në rrjetin numerik të Radio Televizionit Shqiptar.

Në fillim të këtij viti, Këshilli i Ministrave miratoi Planin e Ri Kombëtar të Frekuencave, që sanksionon përfundimisht lirimin e frekuencave të tjera nga operatorët televizivë, me qëllim ofrimin e tyre për qëllime të komunikimeve elektronike.

Sipas Planit të ri, brezi 694-790 MHz, do të kalojë përfundimisht nën administrimin e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) duke filluar nga 30 qershori 2022.

Pasi frekuencat të kalojnë nën administrimin e AKEP, ato do të mund të tenderohen për ofrimin e shërbimeve 5G nga operatorët celularë. Kjo pritet të sjellë një kompensim të mëtejshëm për operatorët e platformave numerike që i shfrytëzojnë aktualisht këto frekuenca.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë