Kompania bullgare Albania Telecom Invest AD ka blerë Telekom Albania për një vlerë totale prej 50 milionë eurosh.
Njoftimi zyrtar, thotë se OTE ka ndërmarrë një marrëveshje për të shitur të gjithë aksionet e Telekom Sh.A (Telekom Albania) per kompaninë bullgare.

“Albania Telecom Invest AD drejtohet nga Z. Spas Roussev, i cili zotëron shumicën e aksioneve të operatorit të telekomunikacionit Bullgar, Vivacom, dhe Z. Elvin Guri, Investitor shqiptaro-bullgar”, citohet në njoftim.
Drejtori Ekzekutiv i OTE-së z. Michael Tsamaz, ka thënë se “Shitja e Telekom Albania përmbyll investimin e suksesshëm të grupit OTE në Shqipëri. Është një vendim strategjik i Grupit OTE i cili po ridimensionon prioritetet dhe planet afatgjata të zhvillimit, në mënyrë që të krijojë vlerë të shtuar për aksionerët dhe të sigurojë zhvillim të qëndrueshëm”.
“Blerja e kompanisë nga një grup i fuqishëm investitorësh garanton rritjen e kompanisë dhe kushtet për fuqizimin e saj në tregun vendas”.
Kjo marrëveshje ka hyrë në fazën e saj finale për të vijuar me aprovimin administrativ të autoriteteve lokale dhe financiare, procedura përmbyllëse të cilat priten të përfundojnë në gjysmën e parë të vitit 2019. Eurobank ka luajtur rolin e Këshilltarit Financiar për Grupin OTE.
Marka Telekom Albania u prezantua në Shqipëri në 23 korrik 2015. Telekom Albania vjen me këtë emër pas një sërë zhvillimesh dhe ndryshimesh që kanë ndodhur vitet e fundit në kompani.
Më 23 korrik 2015, Telekom Albania zëvendëson emrin e Albanian Mobile Communications (AMC), kompanisë më të hershme telefonike në Shqipëri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.