Gazeta Si - Babë e bir janë arrestuar këtë premte, pasi denoncuan një ditë më parë për një tentativë grabitje të pretenduar në banesën e tyre në Pezë Helmës, pranë kryeqytetit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 në Tiranë, pas marrjes së njoftimit se mbrëmjen e djeshme, në fshatin Mënik, një shtetas pretendonte se persona të paidentifikuar kishin hyrë në oborrin e banesës së tij dhe kishin qëlluar në ajër me armë zjarri, kanë zbardhur ngjarjen.
Sipas njoftimit, shtetasi G.H., 58 vjeç, mbrëmjen e djeshme ka telefonuar policinë, duke pretenduar se persona të paidentifikuar, ishin futur në oborrin e banesës së tij, dhe kishin qëlluar me armë zjarri.
Shërbimet e Policisë kanë kaluar menjëherë në adresën e dhënë dhe nga verifikimet e kryera ka rezultuar se personi që ka qëlluar me armë zjarri kallashnikov, është shtetasi O. H., 22 vjeç.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve G. H., dhe O. H., (babë e bir), të dy banues në Mënik.
Gjatë kontrollit të banesës së dy të arrestuarve, policia gjeti dhe sekuestroi, në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit kallashnikov, të përdorur gjatë ngjarjes, 4 krehëra dhe sasi municioni luftarak.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.