Flitet shpesh për dëmtimin që mund të kemi nga përdorimi i tepërt i telefonit, në shëndetin mendor. Por një tjetër pasojë e përdorimit të tij është edhe sindroma ‘text neck”.
Kjo gjendje e lidhur me qëndrimin jo të duhur po shihet shpesh edhe tek shqiptarët dhe sipas fizioterapistit Renato Mezini janë shtuar rastet kur kërkohet fizioterapi për këtë problematikë.
“Qëndrimi jo i duhur dhe përdorimi pa kriter i telefonave inteligjent kanë bërë që këto raste të shihen shpesh. Ajo çfarë vërehet më shumë është se pacientë për këtë sindromë janë edhe fëmijët”, shton Mezini për Gazetasi.al.

Sipas tij ka rreth 5-6 qytetarë në ditë që kërkojnë ndihmë për këtë problem. Fizioterapisti shpjegon se ata janë të moshave të ndryshme. Shqetësues është fakti se mes tyre ka fëmijë edhe në fillore. Gjithashtu sipas mjekut problem mbetet dhe ndërgjegjësimi.
Një studim i vitin 2021 nga pediatër në Universitetin Chieti në Itali, tregoi se simptomat specifike (dhimbja e kokës dhe muskuloskeletore) gjenden më shumë tek vajzat sesa tek djemtë.
Ndërkaq të dhënat e marra nga fëmijët mbi 2-vjec deri në 15-vjeç, treguan se dhimbjet e kyçeve, veçanërisht në gjymtyrët e poshtme (kyçet ose këmbët), janë më të zakonshme tek djemtë.

Çfarë është sindroma “text neck”?
Fizioterapisti shpjegon se kjo sindromë vjen nga tendosja e muskujve të qafës deri tek koka, ku mes tyre formohet një “gungë”.
“Kjo gjendje ndodh kur një person mban shikimin poshtë dhe përkul qafën për një kohë të gjatë. Kjo sjell rritjen presionit mbi qafë, duke shkaktuar kështu përkuljen e saj. Për një kohë të gjatë qëndrimi ndikon në të gjithë shtyllën kurrizore si muskuj, ligamente, nyje dhe në diskun intervertebral”, shpjegon fizioterapisti.
Sipas Mezinit problematikat më të shumta janë dhimbja në të gjithë shtyllën kurrizore dhe shenja neurologjike si mpirja. Fizoterapisti shpjegon se dhimbja e qafës është më prezentë tek fëmijët.
Si ndikon fizioterapia në këtë problematikë?
Për trajtimin e këtij problemi duhet hartuar një plan rehabilitimi. Fizioterapistët thonë se duhen përdorur një grup ushtrimesh për këtë problematikë.
Kjo do të nisë me ushtrime për muskujt e qafës, për korrigjimin e qëndrimit dhe masazhi terapeutik. Ndërkaq për të lehtësuar dhimbjen, fizioterapistët këshillojnë se duhet një pushim 30 minuta gjatë aktiviteteve të përditshme, duhet mbajtur pajisjet elektronike në të njëjtin nivel me sytë. Gjithashtu rekomandohet që ushtrimet të bëhen 2-3 herë në javë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje