Bota

Telefonata me Trump-in nga Tirana fut në ‘sherr’ Melonin me Macronin

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka lëshuar një paralajmërim për “egoizmin” mes udhëheqësve europianë, pasi një përplasje diplomatike e ashpër shpërtheu mes saj dhe presidentit francez Emmanuel Macron.

Përplasja nisi të premten gjatë samitit të Komunitetit Politik Europian në Shqipëri.

Gjatë këtij samiti, Meloni nuk u ftua të marrë pjesë në një telefonatë të përbashkët me Donald Trump-in. Ajo u tha gazetarëve italianë se ishte përjashtuar për shkak të refuzimit të saj për të dërguar trupa në Ukrainë, si pjesë e një “koalicioni të të gatshmëve” që ishte propozuar.

Presidenti Macron, i cili ishte në telefonatë së bashku me kryeministrin britanik Keir Starmer, presidentin polak Donald Tusk dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz, akuzoi Melonin për përhapje të dezinformatave.

“Diskutimi ishte për një armëpushim, të mos përhapim informacione të rreme. Ka mjaftueshëm nga ato që vijnë nga Rusia,” tha presidenti francez.

Nga e majta, Giorgia Meloni, Sir Keir Starmer, Emmanuel Macron, Maia Sandu, presidente e Moldavisë, Antonio Costa, president i Këshillit Evropian dhe Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian në Shqipëri këtë muaj

Meloni u takua me kancelarin Merz në Romë, një ditë përpara inaugurimit të Papës Leon XIV, në një përpjekje për të zbutur tensionet.

Megjithatë, pas takimit ajo u bëri thirrje të gjithë liderëve të “lënë mënjanë egoizmin” dhe të përqendrohen në ndërtimin e një fronti të bashkuar për një marrëveshje paqeje që nuk nënkupton dorëzimin e Ukrainës.

Mediat italiane e përshkruan mungesën e kryeministres nga telefonata në samitin e Shqipërisë si një përjashtim të qëllimshëm, duke sugjeruar se Macron nuk kishte dëshiruar pjesëmarrjen e saj.

Të shtunën, Meloni tha për gazetarët se Italia është e gatshme të bashkohet me çdo format ndërkombëtar që synon t’i japë fund luftës, por paralajmëroi kundër përçarjeve brenda Perëndimit.

“Uniteti perëndimor ka qenë forca jonë më e madhe që nga fillimi i pushtimit rus,” tha ajo.

“Në një moment kaq delikat, është e rëndësishme të lëmë mënjanë çdo dallim personal që mund ta minojë atë unitet.”

Giorgia Meloni u takua me Friedrich Merz para inaugurimit të Papës në Romë në një përpjekje për të qetësuar tensionet. 

Në takimin në Romë, kancelari Merz tha: “Nuk duhet të lejojmë që të përçahemi.”

Ai shtoi: “Do të zhvilloj bisedime në BE gjatë ditëve në vijim dhe do të përfshij Italinë në të gjitha përpjekjet tona për të zgjidhur këtë konflikt.”

Raportet mes Melonit dhe Macron-it janë prej kohësh të ftohta. Meloni është kapur edhe nga kamerat duke rrotulluar sytë pasi i ka dhënë dorën presidentit francez në takime të mëparshme.

Kryeministrja italiane ka qenë një mbështetëse e fortë e Ukrainës dhe ka ndërtuar gjithashtu marrëdhënie personale të afërta me Donald Trumpin. Por ajo ka qenë shumë kritike ndaj planeve për të dërguar trupa në Ukrainë si paqeruajtës për të monitoruar një armëpushim të përhershëm.

Prej disa ditësh, Meloni është nën presion të madh nga opozita dhe kritikët në Itali, të cilët thonë se ajo po anashkalohet nga udhëheqësit europianë.

Duke shtyrë Shtëpinë e Bardhë

Ndërkohë, Merz, Macron dhe Sir Keir Starmer kanë shtyrë përpara diskutimet me Shtëpinë e Bardhë mbi Ukrainën.

Së pari, ishte udhëtimi me tren për në Kiev, pastaj të premten një takim dhe më pas një telefonatë e përbashkët me Donald Trumpin, që u zhvillua në kuadër të samitit të Komunitetit Politik Europian, në Tiranë, Shqipëri, ku morën pjesë 40 liderë europianë.

Telefonata drejtuar Trump u bë pasi bisedimet e paqes Rusi-Ukrainë dështuan në Stamboll më herët atë ditë dhe grupi, i cili përfshinte Zelenskyn, por jo Melonin, më vonë lëshoi ​​një deklaratë duke i quajtur kërkesat e Rusisë të papranueshme.

Trump do të flasë me Vladimir Putin të hënën, pasi zëvendëspresidenti i tij zhvilloi bisedime të drejtpërdrejta me Zelensky-n në prag të meshës së Papës të dielën.

Putin tha të dielën se Rusia ka “forcën dhe burimet” për të përfunduar atë që filloi me pushtimin e Ukrainës.

“Ne kemi forcë dhe burime të mjaftueshme për ta çuar atë që filloi në vitin 2022 në një përfundim logjik me rezultatin që i nevojitet Rusisë”, tha ai, pa sqaruar më tej.

Burimi: The Telegraph/ Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë