Politike

Telefonata e Ramës me drejtorin e RAI shkakton debat tek komisioni i Medias në Itali: E papranueshme, tani të quhemi Radio Televizioni Shqiptar Italian

Telefonata e kryeministrit Edi Rama me drejtuesin e rrjetit publik italian RAI, ka sjellë reagimin e Komisionit parlamentar të medias, që njihet edhe si Komisioni për Mbikëqyrjen e RAI-t.

Gjithçka filloi me një sqarim nga vetë RAI

“Drejtori  Paolo Corsini na informoi se ishte kontaktuar me telefon nga kryeministri shqiptar Edi Rama. Në atë që na përcillet si një bisedë e shkurtër dhe e përzemërt, kryeministri shqiptar i njoftoi drejtorit dërgimin e një letre me kërkesën për sqarime për episodin e emisionit “Raport”. Letër e cila tashmë ka mbërritur dhe po trajtohet tek drejtoria e analizës së thelluar si të gjitha kërkesat e shumta për sqarimet. Çdo përfolje për një “telefonatë të furishme” nuk kanë asnjë bazë”, sqaron Rai në një shënim.

Për kryetaren e Komisionit Mbikëqyrës të Rai-t, Barbara Floridia, “është paradoksale që një shef i huaj qeverie ndërhyn drejtpërdrejt tek një menaxher i shërbimit publik pasi është përmendur në një investigim gazetaresk. Edhe nëse kryeministri shqiptar, Edi Rama, do të besonte se ai ishte dëmtuar në një farë mënyre nga investigimi i ‘Report’, kjo nuk mund të justifikojë në asnjë mënyrë ndërhyrjen e tij të drejtpërdrejtë te Rai”.

“Shpresoj që të ketë një konsensus të gjerë të të gjitha forcave politike në luftën kundër ndërhyrjeve të jashtme në informacion në mënyrë që të mbrohet pavarësia e medias”, shtoi ajo.

Një deklaratë të përbashkët lëshuan edhe tre anëtarë të komisionit të Mbikqyrjes në parlamentin italian, Dario Carotenuto, Dolores Bevilacqua dhe Anna Laura Orrico.

“Sikur të mos mjaftonte presioni i qeverisë së Melonit ndaj transmetimeve të ‘Report’, tani janë përfshirë edhe krerët e qeverive të shteteve të huaja si kryeministri shqiptar Edi Rama. Le t’i bëjmë Giorgia Melonit një pyetje të thjeshtë: a është normale sipas jush që një drejtues i televizionit publik të kontaktohet drejtpërdrejt nga kryeministri shqiptar për t’u ankuar për një raport gazetaresk? A nuk mendoni se duhet të ndërhyni personalisht për të shmangur atë që duket si një ndërhyrje e panevojshme e kryeministrit shqiptar në lirinë e shtypit dhe pavarësinë e gazetarisë italiane? Nëse i intereson vërtet, siç pëlqen ta thotë shpesh, ‘sovraniteti i kombit’, le t’i flasë mikut të tij Rama dhe t’i thotë se Italia nuk duron dot ngjarje të tilla. Sa i përket RAI-t, kërkojmë që të zbardhet çdo detaj i kësaj çështjeje”, thuhet në deklaratën e tyre sipas ANSA.

Telefonata është shfrytëzuar për koment edhe nga opozita në Itali.

“Tani mund ta quajmë RAIA, Radio Televizioni Shqiptar Italian! Kontakti i drejtpërdrejtë i kryeministrit shqiptar Edi Rama me drejtorin e Rai Paolo Corsini përfaqëson një përpjekje për të ndikuar televizionin italian dhe në veçanti gazetarinë investigative. Telefonata e Kryeministrit Rama është ndërhyrje e papranueshme që shkon përtej rastit të vetëm të ‘Report’-it dhe prek një problem më të gjerë të lirisë së shtypit dhe pavarësisë së medias shtetërore, e cila duhet t'i shërbejë interesit publik në vend që të veprojë si mjet për interesat politike të momentit të një përfaqësuesi politik, qoftë edhe jashtë territorit të Rait dhe që kryhet nën drejtimin e Kryeministres Meloni. Është thelbësore të ritheksohet se TV shtetëror duhet të jetë i lirë nga çdo formë ndërhyrjeje politike, për t’u garantuar qytetarëve informacion të saktë dhe të pamanipuluar”, thotë deputeti i Aleancës së Gjelbër dhe të Majtë, Angelo Bonelli.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë