Teknologji dhe Inovacion

Telefonat inteligjentë dhe mediat sociale po shkatërrojnë shëndetin mendor të fëmijëve

Dëshmitë e efekteve katastrofike të rritjes së kohës para ekranit tani janë dërrmuese.

Diçka po shkon shumë keq për adoleshentët. Midis 1994 dhe 2010, pjesa e adoleshentëve që nuk e konsiderojnë veten të pëlqyeshëm ra nga 6 për qind në 4 për qind por që nga viti 2010 është më shumë se dyfishuar. Shkalla e atyre që e mendojnë veten si të dështuar, që shqetësohen shumë dhe që janë të pakënaqur me jetën e tyre gjithashtu u rrit ndjeshëm.

Të njëjtat tendenca janë të dukshme kudo në botë. Numri i nxënësve të shkollave të mesme në SHBA që thonë se shpesh jeta u duket e pakuptimtë është rritur në 12 vitet e fundit. Në Francë, normat e depresionit në mesin e 15-24-vjeçarëve janë katërfishuar në dekadën e fundit.

Kudo që të shikoni, shëndeti mendor i të rinjve po shkatërrohet dhe problemet janë vetëm në rritje.

Teoria se të kesh media sociale 24/7 mund të ketë një efekt të dëmshëm në shëndetin mendor nuk është e re. Avokatja kryesore e kësaj teorie është Jean Twenge, pedagoge e psikologjisë në Universitetin e San Diego-s dhe autore e  dhjetëra studimeve mbi këtë temë.

Por është ende larg nga pranimi universal. Puna e Twenge dhe bashkautorit të saj Jonathan Haidt, është kritikuar ndonjëherë si thjesht një reagim i tepruar ndaj teknologjisë.

Megjithatë, ndërsa provat për argumentet e tyre shtohen, shumë njerëz tani po pyesin pse na është dashur kaq shumë kohë për të pranuar atë që ishte përpara nesh prej vitesh.

Shenjat janë kudo. Së pari, “shoqërimi” dixhital ka zhvendosur mbledhjet fizike. Përqindja e adoleshentëve që takohen personalisht me miqtë më pak se një herë në muaj ishte 3 për qind midis viteve 1990 dhe 2010, por arriti në 10 për qind deri në vitin 2019, ndërkohë që pjesa që thonë se janë “vazhdimisht në linjë” tani ka arritur 46 për qind.

Studimet tregojnë se sa më shumë kohë të kalojnë adoleshentët në rrjetet sociale, aq më keq është shëndeti i tyre mendor. Dhe vajzat shpenzojnë shumë më tepër kohë në mediat sociale sesa djemtë, çka shpjegon përkeqësimin më të madh të shëndetit mendor të vajzave sesa të djemve.

Disa sugjerojnë se shoqëria moderne është më e hapur për diskutimin e shëndetit mendor, kështu që ajo që po shohim është vetëm një rritje në raportim, jo prevalencë ndërsa të tjerë thonë se teknologjia është fajtore, duke përdorur si argument pikërisht studimet që janë bërë ndër vite.

Çfarë mund të bëjmë? Përgjigja më e zakonshme është “edukoni fëmijët dhe prindërit”. Por siç tregojnë rastet e obezitetit dhe pirjes së duhanit, fushatat e informimit publik janë dukshëm joefektive përballë varësisë.

Dhe pastaj ka rregullore. Pse të mos rritet kufiri i moshës për aplikacionet sociale dhe të ndëshkohen kompanitë që nuk i zbatojnë ato?

Në fund, duket se nuk ka vend për optimizëm. Luftimi i obezitetit ka qenë kaq i vështirë sepse nuk mund t'i ndalosh njerëzit të hanë ushqim. Dhe luftimi i varësisë nga mediat sociale është i vështirë, sepse nuk mund t'i ndalosh njerëzit të përdorin telefonat inteligjentë dhe aplikacionet.

Derisa dikush të shpikë ekuivalentin e një ilaçi për humbje peshe edhe për Instagramin dhe aplikacionet e tjerë, e ardhmja duket e zezë.

Burimi: Financial Times. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë