Shkëmbimet tregtare kanë vijuar rënien edhe në muajin gusht.
Të dhënat më të fundit të INSTAT tregojnë një rënie të eksporteve dhe importeve si për muajin gusht, ashtu edhe për tetëmujorin e parë të vitit.
Ajo që vihet re në muajin gusht, eksportet i kanë shpëtuar tekstilet dhe ushqimet.
Kujtojmë se biznesi fason ka qenë më i godituri gjatë pandemisë, por edhe më parë gjatë “luftës” së gjatë të tregut të këmbimit valutor, teksa ky biznes punon me monedhën euro, e cila ka qenë e zhvlerësuar për një kohë të gjatë në tregun e brendshëm.
Një pjesë e biznesit fason në Shqipëri gjeti rrugëzgjidhje alternative duke përshtatur prodhimin me situatën dhe mori kontrata me vendet europiane për veshje njëpërdorimshe.
Por këtë nuk e arritën dot të gjithë, megjithatë edhe për këtë biznes të dhënat e 8 mujorit të parë të vitit janë negative.

Florian Zekja nga Pro Eksport Albania thotë se këto rezultate priteshin për muajin gusht deri në 15 shtator, “ pasi përkon me dorëzimin e koleksioneve dimër 2020. E dinim që do ishte situate pozitive mirë deri në 15 shtator, plus kësaj, i shtohet edhe interesi për materiale sanitare dhe njëpërdorimshe, ku Italia është klienti kryesor. Këtë e tregojnë edhe të dhënat që janë rritur shkëmbimet me Italinë. Këto dy faktorë kanë ndikuar në rritjen e eksporteve të tekstileve për muajin gusht”.
Por, shpjegon më tej Zekja, fundi shtatorit siç e kemi paralajmëruar, do jetë dramatik, sidomos për sektorin e këpucëve. Ky sektor thotë ai, ka pasur rënien më të madhe dhe e ka më të vështirë për tu adaptuar me linja të tjera si produktet sanitare njëpërdorimshe për shkak të makinerive të specializuara që ka.
“Mjaft ndërmarrje po bëjnë letrat për nxjerrjen e punonjësve në asistencvë. Veçanërisht ata, që si klientë kanë fushën e modës”- shpjegon Zekja.
Sipas raportimit të INSTAT, sot, të enjten 17 shtator, në Gusht 2020 eksportet e mallrave arritën vlerën 19 mld lekë, duke u ulur me 3,4 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe 21,1 %, në krahasim me Korrik 2020.
Importet e mallrave arritën vlerën 48 mld lekë, duke u ulur me 7,0 %, në krahasim me një vit më parë dhe 15,3 %, në krahasim me Korrik 2020. Deficiti tregtar i këtij muaji është 29 mld lekë, duke u ulur me 9,2 %, krahasuar me Gusht 2019 dhe 10,9 %, në krahasim me Korrik 2020.
Në tetëmujorin e parë 2020 tregtarët kanë eksportuar 169 mld lekë produkte, me një ulje15,4 %, krahasuar me një vit më parë dhe kanë importuar mallrave arritën vlerën 376 mld lekë, me ulje 12,3 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 207 mld lekë, duke u ulur me 9,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019.
Kontributi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të eksporteve
Rënia vjetore e eksporteve prej 3,4 %, këtë muaj është ndikuar nga grupet: “Makineri, paisje, pjesë këmbimi”, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”, “Produkte kimike dhe plastike”. Në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar pozitivisht grupi: “Tekstile dhe kepucë” me +5,2 pikë përqindje dhe “Ushqime, pije, duhan” me +3,5 pikë përqindje.

Eksportet, gjatë këtij tetëmujori janë ulur me -15,4 %, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar kryesisht në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Tekstile dhe këpucë” me -7,4 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale”, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”. Në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar pozitivisht grupi: “Ushqim, pije, duhan” me +0,9 pikë përqindje.
Kontributi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të importeve
Rënia vjetore e importeve prej 7,0 %, këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -4,1 pikë përqindje, “Ushqim, pije, duhan” me -2,0 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -0,8 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të importeve ka ndikuar pozitivisht grupi: “Tekstile dhe këpucë” me +0,4 pikë përqindje, “Lëkurë dhe artikuj prej tyre” me +0,1 pikë përqindje.

Si tetëmujor, importet janë ulur me 12,3 %, krahasuar me tetëmujorin e parë 2019. Grupet që kanë ndikuar kryesisht në uljen vjetore të importeve, janë: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -4,5 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -2,7 pikë përqindje, “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” me -2,5 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të importeve nuk ka ndikuar pozitivisht asnjë grup.
Ecuria e tregtisë së mallrave sipas vendeve partnere
Në muajin Gusht 2020, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Gusht 2019 janë: Italia (22,1 %), Gjermania (3,8 %), dhe Greqia (38,6 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Kosova (20,0 %), Spanja (27,6 %) dhe Franca (80,3 %). Gjatë këtij tetëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Gjermania (9,3 %), Serbia (15,5 %), dhe Turqia (23,1 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (20,1 %), Kosova (24,7 %) dhe Spanja (12,8 %).

Në muajin Gusht 2020, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Gusht 2019 janë: Italia (2,3 %), Turqia (6,1 %) dhe ShBA (3,4 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Kina (11,4 %), Gjermania (7,2 %) dhe Greqia (2,1 %).
Gjatë këtij tetëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Serbia (31,9 %), Rusia (28,2 %) dhe Maqedonia e Veriut (1,6 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (16,0 %), Kina (16,9 %) dhe Greqia (9,0 %).
Shkëmbimet tregtare me vendet e BE zënë 60,3 %, të gjithë tregtisë. Në Gusht 2020, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 72,9 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 55,2 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (29,1 %), Turqia (8,0 %), Gjermania (7,1 %) dhe Kina (7,1 %).
Shkëmbimet tregtare, për tetëmujorin e parë 2020, me vendet e BE zënë 63,0 % të gjithë tregtisë. Në periudhën Janar – Gusht 2020, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 75,2 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 57,5 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (31,1 %), Greqia (7,7 %), Gjermania (7,2 %) dhe Turqia (6,9 %).
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




