Mjedis

Teknologjia e gjelbër/ Bakteret ndihmojnë në nxjerrjen e metaleve të rralla nga bateritë e vjetra

Shkencëtarët kanë krijuar një aleancë të re të pazakontë në luftën e tyre kundër ndryshimeve klimatike. Ata po përdorin baktere për t'i ndihmuar të nxjerrin metale të rralla jetike në zhvillimin e teknologjisë së gjelbër. “Pa ndihmën e këtyre mikrobeve, ne mund të na mbarojnë lëndët e para për të ndërtuar turbina, makina elektrike dhe panele diellore”, thonë ata.

Puna po drejtohet nga shkencëtarët në Universitetin e Edinburgut dhe synon të përdorë baktere që mund të nxjerrin litium, kobalt, mangan dhe minerale të tjera nga bateritë e vjetra dhe pajisjet elektronike të hedhura. “Këto metale të pakta dhe të shtrenjta janë jetike për prodhimin e makinave elektrike dhe pajisjeve të tjera nga të cilat varen pajisjet e teknologjisë së gjelbër”, thekson profesoresha Louise Horsfall, shefe e Bioteknologjisë së Qëndrueshme në këtë universitet.

“Nëse do t'i japim fund varësisë sonë nga petrokimikatet dhe do të mbështetemi te energjia elektrike për ngrohjen, transportin dhe energjinë, atëherë do të bëhemi gjithnjë e më të varur nga metalet”, thotë Horsfall. “Të gjitha ato fotovoltaikë, drone, makina printimi 3D, qeliza karburanti me hidrogjen, turbina me erë dhe motorë për makinat elektrike, kërkojnë metale – shumë prej tyre të rralla – që janë kyçe për funksionimin e tyre”.

Prof.Louise Horsfall (e dyta nga e djathta) dhe ekipi i saj i shkencëtarëve në Universitetin e Edinburgut

Por kjo është edhe çështje politike gjithashtu. Kina kontrollon jo vetëm furnizimet kryesore me elementë të rrallë të tokës, por dominon edhe përpunimin e tyre. “Për të kapërcyer këto probleme, ne duhet të zhvillojmë një ekonomi qarkulluese ku t'i ripërdorim këto minerale kudo që të jetë e mundur, përndryshe do të na mbarojnë materialet shumë shpejt”, thotë Horsfall. “Ka vetëm një sasi të kufizuar të këtyre metaleve në Tokë dhe ne nuk mund t’ia lejojmë më vetes që t'i hedhim ato si mbeturina siç bëjmë aktualisht. Kemi nevojë për teknologji të reja riciklimi nëse duam të bëjmë diçka për ngrohjen globale”.

“Dhe çelësi i këtij riciklimi ishin mikrobet”, thotë Horsfall. “Bakteret janë gjëra të mrekullueshme, të vogla të çmendura që mund të kryejnë disa procese të çuditshme dhe të mrekullueshme. Disa baktere mund të sintetizojnë nanogrimca të metaleve, për shembull. Ne besojmë se ato e bëjnë këtë si një proces detoksifikimi. Në thelb ato lidhen me atomet metalike dhe më pas i pështyjnë si nanogrimca, në mënyrë që të mos helmohen prej tyre”, thotë Horsfall.

Duke përdorur lloje të tilla bakteresh, Horsfall dhe ekipi i saj tani kanë marrë mbeturina nga bateritë dhe makinat elektronike, i kanë tretur ato dhe më pas kanë përdorur baktere për t'u lidhur me metale specifike në mbeturina dhe për t'i depozituar këto si kimikate të ngurta. “Së pari e bëmë me manganin. Më vonë e bëmë me nikelin dhe litiumin. Dhe më pas përdorëm një lloj tjetër bakteresh dhe ishim në gjendje të nxirrnim kobalt dhe nikel.”

Llojet e baktereve të përdorura për nxjerrjen e këtyre metaleve ishin natyrale. Në të ardhmen, Horsfall dhe ekipi i saj planifikojnë të përdorin versione të modifikuara nga gjenet për të rritur prodhimin e metaleve prej tyre. “Për shembull, - thotë Horsfall - ne duhet të jemi në gjendje të nxjerrim kobalt dhe nikel veç e veç, gjë që nuk mund ta bëjmë për momentin”.

Burimi: The Guardian, Përshtati: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë