Futboll

Tedi Cara përfundoi i gjakosur në spital, FSHF përkëdhel Kukësin

Gazeta Si – Komisioni i Disiplinës dha sot një dënim shumë të butë për Kukësin. Ndeshja me Partazinit, ku sulmuesi Tedi Cara u godit me shishe në kokë pasi shënoi golin, nuk duhej të vazhdonte më. Ajo u luaj në fakt, ndërsa Disiplina sot e dënoi klubin e Kukësit me 4 ndeshje pa tifozë dhe gjobë 100 mijë lekë.

Është një dënim qesharak për atë që ndodhi. Një futbollist u godit me send të fortë në kokë, la fushën dhe përfundoi në spital, por për Disiplinën kjo është diçka e zakonshme, sikur thejsht një tifoz të kishte hedhur diçka në fushë dhe kaq.

Cara merr ndihmen mjekesore pasi u godit me shishe ne Kukes. Gazeta Si, 23 shtator 2022

Për më tepër, për Kukësin është një rast i përsëritur hedhja e sendeve në fushë. Praktikisht, Kukësi është dënuar vetëm me dy ndeshje, sepse pas shlyerjes së gjysmë së dënimit ka të drejtën që pjesën e mbetur ta shlyejë me pagesë.

Për sa kohë do kemi dënime të tilla, do të vazhdojnë çarjet e kokës në stadiumin e Kukësit dhe të tjerë.

Vendimet e Disiplinës
KF Kukësi, për sjellje të gabuar të spektatorëve, hedhjen e sendeve në terrenin sportiv, duke shkaktuar ndërprerjen e përkohshme të lojës, dënohet me gjobë 100.000 lekë dhe zhvillimin e 4 ndeshjeve pa spektatorë.

Partizani, për mos respektim të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike, duke mos vendosur stemën e Kategorisë Superiore Abissnet, dënohet me gjobë në masën 50.000 lekë.

Erzeni, për sjellje të gabuar të spektatorëve, dënohet me gjobë në masën 50.000 lekë.

Teuta, për mos respektim të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike, duke mos vendosur stemën e Kategorisë Superiore Abissnet, dënohet me gjobë në masën 50.000 lekë.

Lushnja, për sjellje të gabuar të spektatorëve, dënohet me gjobë në masën 50.000 lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë