Teater

Teatri ‘Zonja e Bujtinës’ përmbyll javën e festivalit të dramës shqipe

Nga Gazeta “SI”– Në një kohë kur skenat shqiptare përballen shpesh me mungesën e hapësirës për autorët vendas, një nismë nga i vetmi teatër privat në vend, “Zonja e Bujtinës”, bëri që drama  shqipe të kishte një hapësirë vetëm të sajën në një  skenë për një javë të tërë.

Festivali i parë Kombëtar i Monodramës, me titullin “Flas Shqip”, u kthye në një ngjarje madhore të dramës shqipe, duke ofruar një pasqyrë të pasur të krijimtarisë bashkëkohore në gjuhën amtare.

Nga 29 maji deri më 4 qershor, publiku pati mundësinë të ndjekë gjashtë monodrama të autorëve shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora, interpretuar nga aktorë me përvojë e zë të veçantë, të cilët sollën në skenë rrëfime personale por dhe qasje kolektive.

Festivalin e çeli shfaqja “I pakalluri i vdekur” me tekst të Naun Shundit, ku Marius Dhrami dha një interpretim mbresëlënës që u vlerësua me çmimin special “Zonja e Bujtinës”.

Një nga shfaqjet më të mira  erdhi nga diaspora: “Qen bir… i një qeni”, e sjellë nga trupa “Mërgimtari” nga Kroacia, një tekst i ngjeshur emocionalisht nga Ferdinand Hysi, i cili u vlerësua me çmimin “Dramaturgu më i mirë”. Shfaqja eksploronte temat e braktisjes, identitetit dhe dhimbjes së mërgimit në një mënyrë të drejtëpërdrejtë dhe të guximshme.

Ndërkohë, Marin Orhanasi me “Jam gjallë” solli një atmosferë intime e eksperimentale, ku publiku u bë pjesë aktive e rrëfimit dhe përjetimeve të personazhit.

Një tjetër kulm i festivalit erdhi nga Kosova me “Artisti në tavan” të Agron Gërgurit, ku aktori Ismet Azemi dhuroi një performancë të jashtëzakonshme që i solli çmimin “Aktori më i mirë”. Një interpretim që shpërfaqte jo vetëm mjeshtëri teknike, por edhe një përkushtim të thellë emocional ndaj figurës që përfaqësonte.

Shfaqja “Ferrparajsa” nga Arben Iliazi, me regji të Milto Kutalit dhe interpretim nga Bajram Dosti, ngriti pyetje të mprehta mbi moralin njerëzor, ndërsa “Letra” e Ylljet Aliçkajt, e sjellë nga një ekip italo-shqiptar me regjisorët Giulia Falzea dhe Salvatore Tramacere, krijoi një atmosferë mesdhetare me thekse poetike e vizuale të veçanta. Aktori Roerd Toçe u shqua  për një lojë të përmbajtur dhe të stilizuar, duke ofruar një dimension tjetër të monodramës moderne.

Finalja e festivalit e mbajtur  në një Teatër Kombëtar të mbushur plot, ku publiku ndoqi me emocione shfaqjen “Engjëjt” me tekst të Odise Plakut, regji të Naser Shatrollit dhe një interpretim të ndjerë nga aktorja Vefi Rredhi, e ardhur nga komuniteti shqiptar në Greqi. Kjo shfaqje u shpall fituese e dy çmimeve kryesore të festivalit: “Regjia më e mirë” për Shatrollin dhe “Aktori më i mirë” për Rredhin.

Ky edicion i parë i “Flas Shqip” dëshmoi se ekziston jo vetëm potencial i madh në fushën e dramaturgjisë shqiptare, por edhe një nevojë reale nga publiku për përmbajtje që flet gjuhën dhe përvojën e tyre. Në një kohë kur repertori i teatrove publike vijon të dominohet nga autorë të huaj, kjo nismë solli në skenë realitete tona, dilemën tonë morale, heshtjen tonë kolektive,  të gjitha të përkthyera në dramë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë