Në seancën e 5 korrikut të sesionit të shkuar parlamentar, mazhoranca shpërfili akuzat e opozitës dhe kundërshtimin e një pjese të aktorëve, regjisorëve e shoqërisë civile duke kaluar me forcën e kartonëve projektligjin e veçantë për teatrin e ri kombëtar.
Projektligji, për të cilin u bënë bashkë qeveria, bashkia dhe parlamenti parashikon shembjen e godinës ekzistuese dhe ndërtimin e një godine të re sipas një projekti të arkitektit danez, Bjarke Ingels, i parashtruar për publikun që në muajin mars të këtij viti. Po në këtë muaj, Kryeministri Edi Rama bëri publike planet e qeverisë për të ndërtuar teatrin e ri sipas skemës partneritet publik-privat.
Sipas këtij projekti, teatri i ri do të ndërtohet në një sipërfaqe më të vogël trualli nga teatri ekzistues. Sipërfaqja reduktohet në favor të kompanisë Fusha Sh.p.k. Kjo kompani private zotëron 298 metra katrorë truall në krah të truallit të Teatrit ekzistues, ose rreth 3 për qind të sipërfaqes së përgjithshme ku do të ndërtohet.
Mazhoranca deklaron se kostoja e ndërtimit të një teatri të ri shkon në 30 milionë euro, para që qeveria thotë se nuk i ka, ndaj si zgjidhje shihet investimi privat përmes këtij ligji. Qeveria thotë se shqiptarët harxhojnë zero lekë nga taksat e tyre sipas kësaj skeme. Por, ajo që humbet është prona publike e Teatrit Kombëtar.
Në propozimin e pakërkuar të firmës Fusha Sh.p.k, zona e propozuar për zhvillim përbëhet nga 8465 metra katrorë tokë e mbetur publike dhe 1303 metra katrorë tokë private. Sipas propozimit të kompanisë “Fusha”, 40 për qind e tokës do të jetë “vetëm për teatrin e ri kombëtar”, ndërsa 60 për qind për “ndërtimet me karakter komercial”. Projekti parashikon ndërtimin e dy kateve nëntokësore në të gjithë sipërfaqen e tokës për realizimin e 20,400 metrave katrorë parking. Përveç parkingut, kompania planifikon ndërtimin e 68 mijë metrave katrorë mbi tokë.
Pavarësisht protestave të opozitës dhe komunitetit të artistëve, Kryeministri Edi Rama nuk u tërhoq dhe tha se teatri ekzistues do të shembet dhe godina e re do të ngrihet. Plani vazhdoi dhe në Parlament u votua mes trazirave dhe protestës së opozitës projektligji special për Teatrin Kombëtar me 75 vota pro.
Ligji iu dorëzua Presidentit Ilir Meta për dekretim, ndërsa opozita u ankua në Komisionin Europian me argumentin se ky akt shkelte marrëveshjen e stabilizim-asociimit. Në gusht, Ilir Meta e ktheu për rishqyrtim në Parlament.
Edhe pas refuzimit të Presidentit, mazhoranca u shpreh e vendosur për ta kaluar ligjin dhe caktoi si datë shqyrtimi fillimisht 13 shtatorin dhe më vonë e shtyu për më 20 shtator.
Nëse Presidenti, opozita, artistët dhe shoqëria civile nuk e tundën qëndrimin e mazhorancës për këtë ligj, përgjigja e Komisionit Europian përmes një letre luhati shumicën nga pozicioni i saj fillestar.
Në letrën e Komisionit, firmosur nga Shefja së Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat Europiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Michela Matuella thuhet se deri në këtë fazë, ligji nuk shkel marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.
Por, një shkelje KE e ka gjetur dhe ajo ka të bëjë me garën në prokurimin publik.
“MSA kërkon garantimin e një gare të hapur dhe procedura transparente për kompanitë që shfaqin interes për ndërtimin e teatrit të ri. Komisioni mirëpret gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të amenduar ligjin special me synim hapjen e garës”, thuhet në letër.
Mungesa e garës në tenderim është theksuar si mangësi e ligjit special edhe në dekretin e Presidentit Ilir Meta. Sinjalin që mazhoranca do të reflektojë në këtë pjesë e dha i pari deputeti Eduard Shalsi.
“Nëse do të ishte diskutuar më me seriozitet, mund ta kishim marrë në konsideratë që në fillim. Dekreti ka shumë pika, disa nga të cilat nuk biem dakord. Një pikë, ne mendojmë ta përmirësojmë është që të mos jetë një subjekt, por një thirrje të hapur për cilindo subjekt për ta zhvilluar.. Do të kemi ftesë për cilindo subjekt të interesuar”, u shpreh ai.
Ashtu siç ndodh rëndom në politikën shqiptare, vetë letra e KE-së është interpretuar ndryshe nga opozita dhe ndryshe nga mazhoranca. E para është përqendruar në pjesën ku Komisioni qorton mungesën e garës, ndërsa e dyta përqendrohet tek gjetja e Komisionit “se ligji nuk shkel MSA”, të paktën deri në këtë fazë.
“BE, pas kërkesës tonë, konstaton se Ligji Fusha shpk ka shkelur legjislacionin europian për prokurimin publik. Ky ligj shmang garën e hapur dhe dhe i fal 205 milion Euro kompanisë se dy Lalëve. BE detyron dy Lalët të bëjnë ligj të ri dhe të lejojne garën. Kjo është fitore e një beteje. Falenderime Komisionit Europian. Por shkeljet e ligjit shqiptar vazhdojnë, Këshilli Bashkiak i Tiranës është anashkaluar, grabitja e pronës publike ende e mundëshme, financimet e drogës presin tenderin; trashëgimia historike në rrezik. Edhe këto beteja do t‘i fitojmë. Lufta vazhdon”, shkruan në rrjetet sociale deputeti demokrat, Genc Pollo.
Nga mazhoranca e interpretojnë se shqetësimi i vërtetë i PD-së nuk ka qenë teatri, por pjesëmarrja në tender.
“Këta, Lulzim Basha me shokë, luftuan për të mos u prishur godina me tallash e Teatrit, apo luftuan për t’u bërë pjesë në tender? Nga gjithë çfarë po thonë, kuptoj se e gjithë kauza paska qenë pjesëmarrja në biznes! Kaq!”, shkruan përmes rrjeteve sociale, deputeti socialist, Erion Braçe.
Ligji për teatrin pritet të shqyrtohet nga Kuvendi më datë 20 shtator dhe sinjalet e deritanishme parashikojnë një tjetër përplasje të nxehtë me opozitës dhe mazhorancës për këtë temë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.