Ngjarje

Teatri i ri me tender. Qeveria rishikon ligjin, projekti s’ndryshon


Nga Suadela Balliu  - Komisionet parlamentare do e marrin edhe njëherë në shqyrtim ligjin e rishikuar për godinën e Teatrit Kombëtar dhe data për ta rivotuar në Kuvend mbetet po ajo; 20 shtatori. Kështu ka bërë ditur  Ministria e Kulturës për gazetën “Si”, e pyetur sesi do të procedohet pasi ligji nuk u dekretua nga presidenti i Republikës Ilir Meta dhe u kthye për rishikim në parlament dhe pas letrës dërguar ditëve të fundit nga Komisioni Europian, që pavarësisht se ishte i bindur se ligji i miratuar nuk shkel Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, sugjeroi që jepej akses i barabartë të gjitha kompanive private që shprehin interes për të marrë pjesë në garë për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar.

“Duke marrë në konsideratë qëndrimet që ka mbajtur maxhoranca pas letrës së BE-së, në Kuvend do të vijë një ligj i rishikuar që sërish do të ketë objekt ndërtimin e një godine të re të Teatrit Kombëtar në bashkëpunim me financim privat”, përgjigjen nga Ministria e Kulturës, ndërsa ajo që do të rindërtohet do të jetë struktura e ligjit, e cila do të lërë të hapur mundësinë e garimit edhe kompanive të tjera private që mund të jenë të interesuara.

Teska ne morëm këtë përgjigje nga Ministria, në krahun tjetër Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese, kishte të martën në rend dite shqyrtimin e dekretit të presidentit Ilir Meta mbi godinën e Teatrit Kombëtar. Kjo seancë ka bërë që edhe Opozita të thyejë bojkotin në Kuvend, i cili zgjaste prej dy javësh dhe ka marrë pjesë në komision. Kryetari i komisionit, Eduard Shalsi tha se megjithë debatet mes anëtarëve, shumica  kanë qenë të vendosur ta pranojnë dekretin e Presidentit për të bërë disa ndryshime në ligj, ndryshime të cilat janë kryesore për  hapjen e garës.

Megjithëse është arritur në një draft propozim, ai do të shqyrtohet më tej në lidhje me amendimet që do të bëhen. Me pak fjalë, sipas Shalsit, dekreti i Presidentit do të pranohet, por duke ndërhyrë në disa nene të veçanta. Presidenti Ilir Meta e riktheu ligjin në parlament, ku sipas tij shkelte parimet e barazisë dhe nuk ishte në harmoni me parimet kushtetuese, duke renditur edhe 9 pika se ku duhej rishikuar.

Ndërkohë nga Ministria e Kulturës thonë  se puna me rishikimin e ligjit ka nisur. “Në përmirësim të ligjit pas Dekretit të Presidentit po rishikohet hapësira që të kemi në ligj një thirrje të hapur, një garë për subjekte private të interesuara për ta zhvilluar projektin e Teatrit të ri Kombëtar.’

Po si e ka parë Ministria e Kulturës reagimin e Bashkësisë Europiane, e cila përkundër ishte debatuar- debat që zgjat prej muajsh tashmë – nuk e shkel Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit?. 

Por a ka qenë ky reagim nga BE ajo çka Ministria e Kulturës është përpjekur të thotë përmes këtij ligji gjatë gjithë kësaj kohe? Megjithatë, BE-ja ka shprehur  shqetësim vetëm për një prej pikave;  atë të pjesëmarrjes në garë të vetëm një kompanie. Përse kur u hartua projektligji nuk u mendua të përfshihej mundësia e një gare të hapur për të gjithë ato kompani private, të cilët kishin interes për të paraqitur një projekt mbi godinën e re?

Ajo që vijohet të theksohet nga Ministria e Kulturës si objektiv kryesor është ndërtimi i një teatri modern e me standarde  bashkëkohore për artistët dhe për publikun, të cilin ministria e sheh edhe si nevojë të domosdoshme. Sa për garën e hapur, thonë: “Një subjekt i njohur nga bota e biznesit prezantoi një propozim të parë, një interes të shprehur nga një subjekt privat për një koncept projekti të ri të Teatrit Kombëtar. Në mungesë të një kërkese të dytë ndamë me publikun të gjitha elementet e propozimit, ditë pas dite, pa frenuar asnjë propozim tjetër, përkundrazi, disa herë kemi thënë që mirëpresim çdo propozim serioz dhe të realizueshëm.”

Kështu Ministria e Kulturës mohon çdo pretendim se ligji është hartuar enkas për të favorizuar një subjekt të caktuar privat si “Fusha Sh.p.k” dhe se,  procesit nuk i ka munguar transparenca.

Ndërkohë letra me firmën e Shefes së Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Michela Matuella, drejtuar  Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi, citonte se artikulli 74(3) i MSA-së i referohet dhënies së aksesit të barabartë kompanive private që duan të lidhin kontrata, duke u bazuar në Ligjin Shqiptar mbi Prokurimet Publike, ndërkohë që shtonte se mirëpret vullnetin e palës autoriteteve shqiptare për amendimin e ligjit special që hap garën për për projektin e Teatrit Kombëtar.

Por a do të hasë më probleme dhe kundërshti ligji kur të shkojë sërish për miratim në  Kuvend më 20 shtator? “Kjo qeveri e ka përsëritur disa herë vendimin e saj për t’i dhënë Tiranës një teatër bashkëkohor, një teatër që i ka munguar prej disa dekadash. Në këtë vullnet politik jemi të gjithë të angazhuar për të vendosur standardet e një teatri modern, lënë në bjerrje prej qeverisjeve të kaluara.”, përgjigjen nga ministria ndërsa numërojnë një sërë investimesh në godina teatrosh në të gjithë vendin, në këta katër vite, si rindërtimi i Teatrit  të Korçës me 1 milionë e gjysmë dollarë, restaurimi i teatrit “Migjeni” me një kosto prej 600 mijë dollarësh, kantieri i hapur  në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit me fonde publike dhe investimi prej 4 milionë dollarësh në dy skenat e reja të “ArTurbina”


 Projekti për TK, i prezantuar nga studioja arkitekturore“Bjarke Ingels Grop” me qendër në Danimarkë,

“Ne duam të vazhdojmë me këto investime dhe do të thotë jemi gati të shfrytëzojmë dhe të shikojmë të gjitha hapësirat ligjore që na jep legjislacioni shqiptar për të shfrytëzuar çdo mundësi dhe për të parë çdo burim tjetër ekonomik brenda ligjeve të shtetit shqiptar për të investuar në kulturë. Çdo partneritet publik, privat, pushtet lokal, pushtet qendror brenda hapësirave ligjore është më se i mirëpritur,  sepse nevojat janë shumë më të mëdha se kapacitetet e qeverisë së sotme.”

Por edhe përtej hapjes së garës së hapur me kompani të tjera të interesuara, shembja e godinës është një nga elementet e ligjit që duket se nuk do të ndryshojë, edhe pse nga Ministria e Kulturës tregohen të kujdesshëm me përdorimin e fjalës “shkatërrim”, por që prej muajsh në këtë debat nga ky institucion dhe ministrja e Kulturës është thënë se godina është në kushte tejet të këqija dhe përpos kësaj nuk paraqet një vlerë të veçantë historike a kulturore.  

“As ligji që miratuam më 5 korrik dhe as ky version i rishikuar,  nuk flasin për asnjë shkatërrim. Miratimi i ligjit vetëm do t’i hapë rrugën negociimit të kontratës për realizimin e një  projekti të  ri për Teatër Kombëtar, një proces i gjatë, që meriton bashkëpunimin dhe opinionet e të gjithë aktorëve, të cilët janë të lutur të kontribuojnë me sugjerime, ide dhe opinione.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë