Politike

Teatri i Ri Kombëtar, Berisha: Paralajmëroj Veliajn se po nxit përplasjen me qytetarët

Pak minuta pas nisjes së punimeve për ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar reagoi Kryetari i PD-së Sali Berisha. “Paralajmëroj Erion Veliajn se me këtë akt ai po nxit me të gjithë forcën, përplasjen me qytetarët. Ai është një kukull e Edi Ramës, por do përgjigjet për këtë akt.

Paralajmëroj ndërtuesin që të mos bëhet mashë. Hiq dorë nga ai projekt. Populli opozitar nuk do e pranojë kurrë atë projekt. Populli opozitar do bëjë gjithçka për zbatimin e drejtë të vendimit të Kushtetueses”, tha Berisha.

Sipas kreut të PD-së, nga ky akt kalohet në një akt madhor, dhunimin flagrant të vendimit të Kushtetueses.

“Kjo është një sfidë e hapur, jo vetëm për Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit, por për opozitën në radhë të parë.

Opozitës i thuhet se nuk njohim norma, nuk njohim standarde, por jemi të gatshëm të ndërmarrim çdo akt, në kundërshtim të hapur me një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese ndalon procedimin e mëtejshëm në atë truall, ia kthen atë qeverisë. Ky është vendi i vetëm ku vendimet e Kushtetueses rrëzohen me vendime të banditëve qeveritarë.

Ky është vendi i vetëm në botë ku një vendim i Gjykatës Kushtetuese rrëzohet me një vendim të qeverisë”, tha Berisha në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë