Gazeta Si – Tre të mitur janë gjetur pasditen e kësaj të diele, ku dyshohet se janë braktisur nga e ëma në banesën e tyre në Durrës.
Policia njofton se ka qenë ish-vjehrra e nënës së fëmijëve, me iniciale D.V., e cila ka njoftuar se ish-nusja e djalit të saj, Blerina Basha, kishte lënë vetëm tre fëmijët e mitur në pallatin ku banonte.
Nëna 33-vjeçare, e divorcuar, është shoqëruar në polici dhe është vënë nën hetim në gjendje të lirë nga autoritetet për veprën penale “keqtrajtimi i të miturve”.
Sipas policisë tre fëmijët u dërguan fillimisht në spital për kontrolle mjekësore, ndërsa më pas u vendosën nën kujdesin e Qendrës së Mbrojtjes së Fëmijëve në Durrës.

Burime nga policia bëjnë me dije se shkaku i braktisjes së 3 fëmijëve nga nëna e tyre 33-vjeçare është një konflikt mes kësaj të fundit dhe gjyshes së të miturve nga ana e babait, e cila ka kërkuar t’i marrë në kujdestari.
Sipas burimeve, fëmijët kishin rreth tre ditë pa ushqim dhe prej një muaji nuk kishin ndjekur shkollën. Ata janë gjetur të mbuluar me batanije për shkak të të ftohtit, ndërsa banesa ishte në gjendje të rëndë rrëmuje, me rroba të shpërndara në dysheme.
Fëmijët i janë nënshtruar ekzaminimeve mjekësore dhe janë konstatuar me probleme shëndetësore të lidhura me gjendjen e braktisjes. Aktualisht ata janë marrë nën kujdesin e organeve përkatëse.
Në dëshminë e saj të dhënë në polici, nëna 33-vjeçare akuzon ish-vjehrrën e sa: “Ky është kurth nga ish-vjehrra, e cila më ka paditur se braktis fëmijët. Si mund ta bëj këtë kur unë vetë punoj? Më ka hyrë pa leje në shtëpi, ka mësuar fëmijët të flasin keq kundër meje. Nuk e di, por kjo është e patolerueshme: si vjen në shtëpinë time pa leje dhe më denoncon në polici? Do t’i mbroj fëmijët, se babai i fëmijëve ka qenë në burg në Itali për 5 vjet. Doli nga burgu dhe ka paguar për fëmijët 180 mijë lekë të vjetra. Si mund t’i ushqej fëmijët me 180 mijë të vjetra në muaj?”.
Ndërkohë lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e cila përmes një njoftimi në rrjetet sociale bën të ditur se 3 fëmijët po qëndrojnë në Spitalin Rajonal Durrës, nën kujdesin e mjekëve, të shoqëruar edhe nga nëna, ndërkohë që iu është siguruar ushqim dhe veshmbathja e nevojshme.
Po ashtu Ministria bën të ditur se në vijim, do të mblidhet Grupi Teknik Ndërsektorial, për të vendosur mbi masat e mëtejshme për mbrojtjen e fëmijëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



