Vendimi i njoftuar nga Kryeministri Edi Rama për të mbuluar dy të tretat e faturës së hotelit për emigrantët që kthehen këto ditë në Shqipëri duke se do të zbatohet vetëm për personat që kthehen në atdhe përmes udhëtimeve të organizuara nga “Air Albania”.
Pjesa tjetër e qytetarëve shqiptarë, që nuk hyjnë nga Rinasi, por hyjnë nga pikat e tjera kufitare të vendit (edhe ilegalisht përmes kufirit të gjelbër, siç po ndodh në kufirin me Greqinë) po e përballojnë plotësisht vetë këtë faturë.
Në Korçë, Pogradec dhe në Gjirokastër janë me dhjetra qytetarë që kanë hyrë në vend 2-3 javët e fundit. Një pjesë e mirë e tyre janë kapur pasi kanë hyrë nga kufiri i gjelbër dhe pas ndëshkimit me gjobë 100 mijë lek janë vendosur në karantinimin e detyruar nëpër hotele për 14 ditë, ku sipas urdhrit të Qeverisë, duhet të paguajnë vetë shpenzimet e qëndrimit, me fatura ditore që variojnë nga 15 mijë deri në 25 mijë lek të vjetra.
Vetëm në Korçë dhe Pogradec janë disa hotele ku po strehohet kjo kategori. Në një hotel të Korçës, një grup qytetarësh përfundoi periudhën 14-ditore të karantinimit ditën e martë dhe janë larguar vetëm pasi kanë paguar 350 mijë lek të vjetra për person faturën totale. Fatura rëndohet edhe më fort për persona të së njëjtës familje.
Shumë prej tyre thonë se e kanë të pamundur që të mbulojnë vetë të gjithë faturën e karantinës në hotel, pavarësisht se që prej hyrjes në fuqi të vendimit të Qeverisë, firmosin në pikat kufitare deklaratën ku pranojnë që të vetëkarantinohen në hotelet e përcaktuara me shpenzimet e tyre.
Ata kërkojnë që të përfshihen në listën e përfituesve të mbulimit të dy të tretave të shpenzimeve, ashtu siç Qeveria premtoi se do të veprohet me të rikthyerit që po karantinohen në hotelet e Durrësit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




