Rritja e normës bazë të interesit që nisi marsin e dha goditjen më të madhe tek shtrenjtimi i kredive për individët dhe bizneset e vogla. Por i njëjti efekt u më vonë te bizneset e mëdha.
Sipas analizave të Bankës së Shqipërisë, interesi mesatar për kredinë e re në lekë dhënë biznesit rezultoi 7% në tremujorin e katërt të vitit të kaluar, nga 6.2% në tremujorin e tretë të tij dhe 5.7% në gjysmën e parë të vitit.
Analiza e interesit të kredisë sipas shumës së lëvruar evidenton se interesat për kreditë deri në 35 milionë lekë, kanë njohur rritje më të fortë në këtë tremujor.
Ndërkohë, rritja e interesave të kredive të mesme dhe të mëdha, në shuma mbi 35 milionë lekë është vërejtur vetëm në katër muajt e fundit, duke shfaqur një reagim më të vonuar krahasuar me interesin e kredive të vogla.
Rritja e interesave është më e pranishme tek kreditë me normë fillestare të fiksuar për vitin e parë, i cili është edhe segmenti që përcjell më shpejt lëvizjet e politikës monetare.
Në analizën sipas monedhave, vërehet se interesat e kredisë së re në euro kanë shfaqur një rritje më të ngadaltë krahasuar me interesat e kredisë në lekë. Ato filluan të rriten prej muajit shtator, dhe kanë vijuar rritjen në tremujorin e katërt.
Interesi mesatar për kreditë për biznese rezultoi 5.4% në këtë tremujor, nga 4.8% në tremujorin e tretë dhe 4.6% në gjysmën e parë të vitit. Interesat janë rritur kryesisht tek kategoria e kredive mbi 250 mijë euro dhe me normë fillestare interesi të fiksuar deri një vit.
Tek individët, interesi i kredisë në euro për blerje banese rezultoi 3.4%, duke mbetur pranë niveleve të ulëta të vërejtura gjatë këtij viti.
Rritja më e shpejtë e normave të interesit të kredisë në lekë, krahasuar me rritjen e interesave për kreditë në euro, ka çuar në zgjerimin e diferencialit të interesit mes euros dhe lekut.
Në gjysmën e dytë të vitit 2022, ai qëndron mesatarisht në 2.7 pikë përqindje, përkundrejt mesatares prej 1.9 pikë përqindjeje të gjysmës së parë të tij dhe të vitit të mëparshëm.
Rritja më e ngadaltë e normave të interesit për euron mund të stimulojë një zhvendosje më të mëtejshme të kreditimit drejt monedhës europiane.
Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kreditimi në valutë ka pasur një ecuri më të mirë gjatë vitit 2022, kur norma vjetore e rritjes së tij shënoi vlerën 15.3%, ndërsa ajo e kredisë në lekë ishte 6.3%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



