Nga Fatjon Rupi – Teksa u hedh një sy përbërjeve të skuadrave të moshave në Itali, më së shumti 19-vjeçarëve, vë re që gati në secilën prej tyre ka të paktën një flamur shqiptar. Një numër i konsiderueshëm lojtarësh shqiptarë po rriten te këto skuadra.
Kjo do të thotë se të tjerë Marash Kumbulla dhe Kristjan Asllani po bëhen gati për Kombëtaren kuqezi. Dhe janë talente që po rriten në klubet më të njohura italiane. Dikush prej tyre e nis titullar, dikush aktivizohet nga stoli, dikush tjetër bëhet protagonist me gol.
Shumica e tyre janë grumbulluar nga Kombëtarja U-19 dhe kuptohet që hapat e radhës janë kalimit te Shqipëria U-21 dhe pastaj Kombëtarja A. Madje ndonjë ka kaluar tashmë te U-21-shi. Siç kanë ekzaktësisht Kumbulla dhe Asllani. Ata janë rritur në Itali, janë modeluar sipas shkollës italiane të futbollit dhe tani janë gati të bëhen pjesë e rëndësishme e Kombëtares shqiptare.

Le t’i shohim konkretisht cilët janë këta talente… Tek Interi, për shembull, por rritet Kristian Dervishi, një sulmues 18-vjeçar. Nuk është e lehtë të jesh pjesë e Interit, qoftë edhe te moshat, ndaj dhe Dervishin e pret një e ardhme e sigurt.
Te Leçe po rritet një tjetër sulmues, Dario Daka, 18 vjeç. Pjesë e Peskarës është mbrojtësi 20-vjeçar Armand Kuqi. Për të kaluar te Xhenoa, ku aktivizohet mbrojtësi 19-vjeçar, Elmando Gjini.
Sasuolo U-19 është ekipi me më shumë shqiptarë në përbërje, plot katër. Ata janë mesfushori 18-vjeçar Asan Mata, mbrojtësi 18-vjeçar Elio Zalli, mbrojtësi 19-vjeçar Enea Cehu dhe mesfushori 19-vjeçar Endri Zenelaj.

Te Fiorentina luan Eljon Toçi, 19 vjeç. Ai është një sulmues mjaft premtues dhe që së shpejti pritet të bëhet pjesë e ekipit të parë të Fiorentinës. Në ndeshjen e fundit ka shënuar një gol. Napoli ka një tjetër Hysaj, Daniel Hysajn, një mbrojtës 18-vjeçar. Janë këta vetëm disa emra, tek ekipet e tjera të moshave në Itali ka edhe shumë shqiptarë të tjerë, të gjithë në rrugën drejt Kombëtares kuqezi.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




