Kosova

Të tjera tensione në Kosovë? Bërnabiç hyn të hënën në Veri, Kurti: Pres që të mos provokojë

Kryeministri Albin Kurti tha se pret që kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, e cila do ta vizitojë Kosovën më 5 shtator, të ketë kujdes në deklaratat që do të japë.

Kurti në një konferencë për media tha se pret që Bërnabiç të mos japë deklarata përçarëse sikurse kryenegociatori serb në dialog, Petar Petkoviç.

“Pres që zonja Bërnabiç të mos e vazhdojë avazin e kryenegociatorit nga Beogradi, i cili jepte deklarata përçarëse, ndarëse, që kishin për qëllim tensionimin dhe destabilizimin”, tha Kurti.

Ai shtoi se “kemi nevojë të përqëndrohemi te jeta më e mirë e qytetarëve”. 

“Unë besoj që Qeveria e Republikës së Kosovës me mua si kryeministër për këtë më pak se një vit e gjysmë ka bërë më shumë sesa çdo qeveri paraprake edhe sa i përket punësimit të personave nga komunitetet pakicë apo joshumicë, por këtu e kemi një vështirësi, sepse punësimi ka shkuar shpesh sipas partive politike, jo sipas përkatësisë nacionale”, tha Kurti.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, pritet të vizitojë Kosovën më 5 shtator.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka konfirmuar se “i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës” për këtë vizitë.

“Dhënia e lejes për vizitë bazohet në marrëveshjen lidhur me vizitat e ndërsjellta të përfaqësuesve politikë mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Sipas njoftimit që ka bërë Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Bërnabiç do të realizojë një vizitë një ditore në komunat veriore të Kosovës, përkatësisht në Mitrovicën e Veriut, Zveçan dhe Leposaviç.

Sipas këtij njoftimi, në vizitë do të jetë edhe Petar Petkoviç, drejtor i kësaj zyreje.

“Kryeministrja do vizitojë qendrën e parë multimediale në veri të Kosovës… Pas kësaj ajo do të bëjë një vizitë te Manastiri i Banjskës në Komunën e Zveçanit”, thuhet në njoftim.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë tha se vizita e Bërnabiçit ishte lajmëruar të enjten, 72 orë para vizitës “sipas marrëveshjes për vizita zyrtare”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë