Dyshekët e vjetër dhe të papërdorshëm janë duke u përdorur për të zëvendësuar tokën, në mënyrë që të rriten barishte dhe perime, për refugjatët që banojnë në shkretëtira. Një ekip ekspertësh në hidroponikë, nga Universiteti i Sheffield, kanë punuar me refugjatët në Jordani, për të krijuar ‘kopshte të shkretëtirës’ duke përdorur sfungjerë nga dyshekët.
Në kampin e refugjatëve Zaatari, ekipi i kërkimit, i udhëhequr nga profesori Tony Ryan, ka punuar me banorët për të rritur speca, domate, patëllxhanë dhe nenexhik. Sfungjeri i dyshekut përdoret për të mbajtur rrënjët e një bime, ndërsa rritet në një solucion të pasur me lëndë ushqyese. Farërat vendosen në sfungjer dhe ato rriten përmes saj. Profesori Ryan thotë se kjo teknikë mund të përdoret për të krijuar kopshte në të gjithë botën dhe për t’i ndihmuar që të lulëzojnë në peizazhe shterpë. Ekipi ka shfrytëzuar dyshekët, që në të kaluarën janë përdorur nga refugjatët.
Studiuesit kanë bashkëpunuar me refugjatët në kamp, pasi shumë prej tyre ishin fermerë me përvojë. Ekipi pranon se ata mësuan nga njëri-tjetri. “Refugjatët me të cilët kemi punuar janë trajnuar nga ne dhe e kanë realizuar vetë projektin, duke rritur gjëra, të cilat kurrë nuk kemi menduar që mund të bëheshin në shkretëtirë, duke përdorur materiale të riciklueshme”, tha profesori Ryan.
Ata kanë krijuar një ‘kopsht shkretëtirë’ në kampin e Jordanisë, por duan ta bëjnë projektin më të qëndrueshëm dhe ta përhapin atë në të gjithë botën. Ata shpresojnë të mbledhin 250,000 paundë për të blerë farëra, lëndë ushqyese, por dhe për të trajnuar 3000 refugjatë të tjerë, ku gati 1000 janë trajnuar deri më tani.
Kjo do t’u jepte familjeve të zhvendosura nga lufta mundësinë për të pasur një furnizim të pakufizuar të produkteve të freskëta – në disa nga vendet më të ashpra të planetit. “Unë jam një studiues dhe gjithashtu jam një refugjat sirian,” thotë Dr Moaed Al Meselmani, Menaxher i Projektit. “Tani po i ndihmoj të tjerët si unë të mësojnë aftësi të reja dhe t’i ushqejnë familjet e tyre me barishte dhe perime të freskëta në shkretëtirë. Kur detyrohesh të largohesh nga vendi yt, janë gjërat e thjeshta që të mungojnë – si një filxhan çaj nenexhiku të freskët ose t’u tregosh fëmijëve të tu se si mbillet një farë. Ky projekt lidh njerëzit me shtëpinë dhe u jep atyre shpresë për të ardhmen”, thotë ai.
Abu Wessam, i cili po jeton në kamp, tha se ata erdhën në Jordani për shkak të luftës dhe masakrave në Siri. Ai tha se kushtet në kampin Zaatari ishin shumë të këqija kur arritën për herë të parë, me gjashtë ose shtatë persona që jetonin në një tendë. “Kjo lloj bujqësie na ka ndihmuar shumë. Nuk ka pesticide dhe përdor 70-80 përqind më pak ujë. Do të ishte mirë sikur të gjithë njerëzit në kamp ta mësonin këtë, sepse kemi të bëjmë me një tokë jo të përshtatshme. Tani kemi realizuar vetëm një projekt pilot, por dëshirojmë ta bëjmë atë më produktiv dhe më të madh”, thotë Wessam.
Duke punuar ngushtë me refugjatët, ekipi ka krijuar ‘kopshte të shkretëtirës’ që u sigurojnë njerëzve në kamp barishte dhe perime të freskëta, mundësi trajnimi dhe gjelbërim në një ambient të vështirë, siç është shkretëtira. Metoda përdor 70 deri 80 përqind më pak ujë sesa mbjellja tokë – dhe eliminon nevojën për pesticide.
Paratë fillestare për projektin pilot – ku 1000 refugjatë u trajnuan për të kthyer dyshekë të vjetër në kopshte – po mbarojnë. Kjo është arsyeja pse ata lëshuan një apel publik dhe shpresojnë të vazhdojnë modelin e tyre, ku pritet që refugjatët të ndajnë njohuritë dhe aftësitë e tyre me njëri-tjetrin, si dhe të shesin prodhime për të blerë më shumë furnizime.
Komisionari i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), i cili drejton kampin Zaatari, u siguron refugjatëve sirianë para të mjaftueshme për të blerë gjëra bazike si bukë dhe qiqra. Por frutat dhe perimet që pasurojnë jetën shpesh janë jashtë mundësive dhe çaji tradicional nga nenexhiku i freskët konsiderohet një luks.
Projekti u jep njerëzve mjetet dhe teknikat e nevojshme për të kultivuar ushqimin e tyre dhe për të fituar punësim në të ardhmen – si dhe forcimin e shëndetit mendor dhe gjelbërimin e kampit. “UNHCR e sheh këtë si diçka që mund të funksionojë në pothuajse çdo kamp refugjatësh për të përmirësuar shëndetin mendor dhe mirëqenien,” tha profesori Ryan. “Nëse ne mund t’i bëjmë kopshtet e shkretëtirës ekonomikisht të qëndrueshëm në Joran , ne mund të zgjerojmë këtë në të gjithë botën dhe të ndihmojmë miliona refugjatë të tjerë”.
Profesori Duncan Cameron, drejtori i Institutit për Ushqim të Qëndrueshëm në Sheffield (Mbretëri e Bashkuar), tha se ai ishte i mahnitur me zgjuarsinë e njerëzve kur ata bëhen bashkë për të zgjidhur një çështje kritike. “Hulumtimi ynë mbi tokat sintetike, ka sjellë një këndvështrim tjetër rreth largimit të mbeturinave. Ekspertët zbuluan metodën e dyshekëve të përdorur dhe ne pamë një mundësi alternative të kultivimit. Si shkencëtarë, kemi mësuar shumë nga refugjatët se si mund të zbatohet kërkimi ynë në botën e vërtetë, dhe ata kanë fituar aftësi të vlefshme për të ardhmen”, shprehet ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.