Ka ndodhur

Plagosje me armë zjarri në Lezhë për vendin e parkimit, policia në ndjekje të autorit. Si ndodhi ngjarja

Gazeta Si – Një 35-vjeçar, shofer furgoni i linjës së Laçit, është plagosur me armë zjarri mëngjesin e kësaj të shtune në zonën e njohur si Ura e Cenit në Lezhë pas një konflikti për motive të dobëta. Ngjarja ka ndodhur pranë një furre buke pranë tregut industrial.

Policia njofton se të shtënat me armë zjarri kanë ardhur si pasojë e një konflikti të çastit për parkimin e automjeteve.

Nga këto të shtëna, ka mbetur i plagosur Tonin Ndreca, i cili është transportuar drejt Spitalit Rajonal të Lezhës fillimisht dhe më pas drejt Spitalit të Traumës.

“Marjan Kola banues në Kurbin, ka plagosur me armë zjarri Tonin Ndrecën, 35 vjeç, banues në Laç, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën”, njofton policia.

Sipas burimeve paraprake, shoferi i furgonit Tonin Ndreca dhe Kola kanë debatuar fillimisht teksa ndodheshin brenda mjeteve, për faktin se këtij të fundit nuk i kishte pëlqyer se si e kishte parkuar furgonin, duke i penguar lëvizjen.

Më pas, kanë zbritur nga makina dhe 35-vjeçari dyshohet se ka tentuar që ta qëllojë me një kaçavidë autorin e të shtënave me armë zjarri.

Kola ka nxjerrë armën duke e qëlluar me dy plumba në këmbë. Siç theksoi policia më herët, 35 vjeçari është dërguar menjëherë në spital, ku edhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërsa autori i ngjarjes është larguar menjëherë me makinën, në të cilën bashkë me të ndodheshin dhe dy të tjerë.

Sakaq, vijon ndjekja nga ana e shërbimeve të Policisë për lokalizimin dhe kapjen e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë