Ka ndodhur

Foto/ Konflikt për plazhin, qëllon me armë vëllanë. Turisti nga Norvegjia: Ikëm me vrap nga frika

Gazeta Si – Një konflikt mes dy vëllezërve për administrimin e një plazhi privat në Radhimë të Vlorës, ka precipituar me përdorimin e armës.

Sipas burimeve policore, vëllezërit Beniamin dhe Edison Kondi, të cilët janë pronarë të një plazhi në atë zonë, kanë pasur një debat verbal për administrimin e plazhit.

Sipas policisë, konflikti ka degraduar kur Beniamin Kondi ka nxjerrë armën dhe ka shtënë në drejtim të vëllait të tij, Edisonit.

Për fat, ky i fundit i ka shpëtuar plumbave. Me fat kanë qenë edhe pushuesit që ndodheshin afër tyre në momentin e ngjarjes. Policia e arrestoi autorin pak orë pas ngjarjes në një shtëpi të braktisur.

Nga kjo ngjarje e rëndë nuk ka të plagosur, por ka pasur panik nga ana e pushuesve, të cilët preferuan të kalonin ditën në një prej plazheve të Vlorës.

Një turist nga Norvegjia është bërë dëshmitar i ngjarjes në Radhimë, ku për fat të mirë nuk pati të lënduar.

Ai tregon për mediat se dëgjoi disa të shtëna, si edhe pa njerëz më pas të vraponin.

Turisti norvegjez, thotë se ndodhet në Shqipëri bashkë me familjen e tij, ndërsa theksoi se ngjarja e ka frikësuar

“Ne dëgjuam të shtëna dhe të gjithë vrapuam, ndoshta dy tre të shtëna, ne nuk pamë asgjë, nuk e di nëse ndonjë është qëlluar. Jam nga Norvegjia”, tha turisti norvegjez.

Edhe pushuesit shqiptarë tregojnë se kanë dëgjuar disa të shtëna me armë. Ata shprehen e janë fshehur pas lokalit deri sa në vendngjarje mbërriti policia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë