Ka ndodhur

Të shtëna me armë zjarri në Shkodër, qëllohet në drejtim të një makine

Policia e Shkodrës jep detaje nga të shtënat me armë zjarri, të regjistruara këtë të diel drejt një makine.

Policia thotë se është qëlluar drejt një makine të drejtuar nga 30-vjeçari Tauland Pepaj, i cili fatmirësisht nuk ka marrë asnjë lëndim.

Ky i fundit rezulton një person me precedent penal, pasi në vitin 2017 është kapur për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”. 

“Më datë 21.02.2021, rreth orës 11:50, në lagjen “Skenderbeg”, Shkodër, në afërsi të një pike karburanti, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit që drejtohej nga shtetasi T. P. 30 vjeç , banues në lagjen “Skenderbeg”, Shkodër. Nga të shtënat nuk ka asnjë preson të lënduar”, thuhet në njoftimin e policisë.

Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve. Njëkohësisht janë ngritur pika kontrolli në të gjitha hyrje-daljet e qytetit dhe vijon krehja e zonës për kapjen e autorëve të dyshuar.

Policia njofton se në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër po vijon veprimet për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarje, sekuestrimin e çdo prove që do shërbejë për identifikimin e autorëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë