Ka ndodhur

Laç, 60-vjeçari plagoset në dyqanin e fruta-perimeve ku punonte

Gazeta Si – Një 60-vjeçar është qëlluar me armë zjarri në anë të rrugës në autostradën Laç-Lezhë. Ngjarja ka ndodhur rreth mesnatës në orën 00:25.

Sipas policisë, i plagosur ka mbetur Besim Zeneli 60 vjeç nga fshati Shullaz i Kurbinit.

Ngjarja ka ndodhur pranë dyqanit të fruta-perimeve, ku Besim Zeneli punonte në autostradë.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se ka qenë një person i cili ka qëlluar drejt Zenelit.

Ai ka qenë i maskuar teksa është afruar pranë dyqanit ku po punonte Zeneli dhe e ka qëlluar me një plumb në bark.

Besim Zeneli është dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë për të marrë ndihmë mjekësore.

Policia ka shoqëruar 3 persona, mes tyre dhe autorin e dyshuar të ngjarjes dhe po kryejnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe arrestimin e autorëve të dyshuar.

Zeneli është munduar të vetëmbrohet dhe e ka qëlluar me një kavanoz, ku më pas autori i dyshuar është larguar në këmbë në një parcelë/are pas biznesit.

Janë dy pista që po hetohen: E para dyshohet se ishte grabitje, pasi autori ka qenë i maskuar dhe në këmbë.

E dyta është hakmarrja, por si pistë më e zbehtë, pasi familja e tij nuk ka konflikt, përjashtuar ato të shumë kohëve më parë.

Grupi hetimor vijon veprimet në vendin e ngjarjes, duke administruar çdo provë dhe vlerësuar çdo informacion, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë