Gazeta Si – Një grua është plagosur me armë zjarri në Fier pasditen e kësaj të mërkurë në vendin e quajtur “Mbikalimi i Dërmënasit” rreth orës 14:00.
Hysen dhe Suzana Mërnica, nënë e bir, kanë qenë duke udhëtuar me një motomjet, kur në rrethana ende të paqarta, është plagosur shtetasja Suzana Mërnica. Ajo është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Fierit për të marrë ndihmën mjekësore të nevojshme.

Sipas burimeve nga Policia e Fierit, në vendin e ngjarjes janë gjetur shtatë gëzhoja që i përkasin dy armëve të ndryshme, dhe dyshohet se mund të ketë pasur një shkëmbim zjarri midis palëve të përfshira.
Nga hetimet paraprake, dyshohet se autorët e dyshuar janë shtetasit Ali Çimili, 66 vjeç, dhe Afrim Çimili, 23 vjeç, banues në Dërmënas (babë e bir), të cilët aktualisht janë shpallur në kërkim.

Po të njëjtat burime bëjnë me dije se midis palëve ka pasur një konflikt të mëparshëm, i cili ka agravuar në mesditën e sotme.
Policia ka ngritur menjëherë pika kontrolli në hyrje daljet e qytetit të Fierit dhe në akset Fier-Vlorë dhe Fier-Lushnjë. Gjithashtu, shërbimet e Policisë po vijojnë krehjen e zonës për të lokalizuar dhe kapur autorët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.