Ka ndodhur

Të shtëna në Malësi të Madhe, dy të plagosur. Arrestohet autori, bashkë me gruan në makinë bëri rezistencë. Ka vrarë edhe 13 vjet më parë (Video)

Nga Gazeta Si- Një incident i rëndë ka ndodhur sot në fshatin Vrakë të Malësisë së Madhe, ku dy persona janë plagosur gjatë një përplasjeje që ka përfshirë edhe armë zjarri.

Të plagosur janë Besmir Çofi, Avenir Hasanaj ndërsa është shpallur në kërkim Lul Rakaj i cili është arrestuar pas disa orësh.

Pas ngjarjes së ndodhur paraditen e sotme në fshatin Vrakë, në hyrje të një lokali, ai  u largua nga vendi i ngjarjes duke marrë me vete dhe armën e zjarrit.

Nisur nga fakti që autori ishte i armatosur, në ndihmë të  Drejtorisë Vendore të  Policisë Shkodër dhe të Komisariatit të Malësisë së Madhe, shkuan Forcat Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër dhe  dy grupe të Forcave Speciale Renea, për të bërë të mundur neutralizimin dhe  kapjen e autorit. 

Ndërkohë Shërbimet e Policisë Kufitare morën masa për bllokimin e kufirit  me qëllim mos lejimin e largimit drejt Malit të Zi, të autorit të dyshuar.

Pas afro tre orë ndjekjeje dhe kontrollesh, Forcat Speciale Renea, në zonën e ballkonit të Tamarës, lokalizuan dhe rrethuan autorin e  dyshuar duke i bërë thirrje që ai të dorëzohej.

Shtetasi L.R,  nuk i’u përgjigj thirrjes për dorëzim, por tentoi disa herë që të dilte nga rrethimi duke përfituar edhe nga koha e keqe me rreshje shiu dhe nga zona e pyllëzuar, por nuk ka mundur dot  të largohet dhe pas disa minutash në rrethim është kapur e vënë në pranga.

Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollin e  zonës për të gjetur armën e zjarrit, të cilën shtetasi L.R, dyshohet se e ka fshehur kur ka parë  Forcat Speciale Renea që e kishin rrethuar.

Autori ishte bashkë me bashkëshorten në makinë.

Rakaj është i njohur për një ngjarje të ngjashme që ndodhi afro 13 vjet më parë në Hot të Malësisë së Madhe, ku ai vrau Kolë Mushkun.

Ky akt hakmarrjeje ishte një pasojë e vrasjes së babait të Rakajt nga Mushku më herët.

Sipas informacionit të parë, dy të plagosurit janë transportuar me urgjencë në spitalin rajonal të Shkodrës për të marrë ndihmë mjekësore.

“Rreth orës 09:45, në fshatin Vrakë, në hyrje të një lokali, dyshohet se shtetasi L. R., ka  plagosur me armë zjarri shtetasit  B. Ç dhe A. H, të cilët janë transportuar në spitalin rajonal të Shkodrës për ndihmë mjekësore”, thuhet në njoftimin paraprak të policisë.

Në ndihmë të Policisë  Vendore për kapjen e  autorit kanë shkuar dhe grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe Njësia Shkodër.

Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen  e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë