Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Dukagjin të Shkodrës.
Nga të shtënat me armë zjarri ka mbetur i vrarë një person dhe ka mbetur i plagosur një tjetër.
Bëhet fjalë për babë e bir, Zef dhe Gjin Guri. Nga të shtënat ka vdekur babai Zef Guri dhe djali i tij, Gjin Guri ka mbetur i plagosur rëndë. Ngjarja ka ndodhur në Malin e Shoshit në Dukagjin.
Shkak për këtë ngjarje dyshohet se janë bërë konfliktet për kultivimin e kanabisit.
Gjin Guri i cili ka mbetur i plagosur rëndë nga të shtënat me armë zjarri nuk është një emër i panjohur për autoritetet pasi është arrestuar më herët për disa vepra penale.
Në 2021 i është vendosur një sasi tritoli në lokalin e tij.
Në vitin 2015, Gjin Guri ka shkëmbyer zjarr me policinë në një aksion anti-kanabis në zonën e Dukagjinit. Atë kohë Guri dyshohej si kultivues i kanabisit, dhe për të shmangur kontrollet në parcelat e tij, qëlloi drejt efektivëve. Fatmirësisht, nuk pati të lënduar nga të shtënat. Guri u arrestua nga policia në banesën e tij në fshatin Shosh të Dukagjinit, pas një operacioni të mirëorganizuar nga forcat e rendit dhe FNSH e Shkodrës.
Guri akuzohej për “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake” dhe “Kanosje”.
Ai figuronte edhe në listën e 10 personave të shpallur në kërkim si i dyshuar se ka qëlluar me armë ndaj helikopterit të Policisë, në operacionin e parë antikanabis në këtë zonë.
Policia u nis drejt vendit të ngjarjes me helikopter për shkak të terrenit të vështirë. Ndërsa Gjin Guri, 43-vjeçari i cili mbeti i plagosur ka mbërritur në Spitalin e Traumës për ndihmë më të specializuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.