Policia e Kosovës konfirmoi se, pasditen e së martës, ndodhën disa incidente në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut, derisa zyrtarët policorë po i shoqëronin autoritetet zgjedhore në këto dy komuna, të banuara me shumicë serbe.
Më herët, disa media serbe raportuan për dy shpërthime në Zubin Potok dhe tri në Mitrovicën e Veriut.
Policia tha se dyshohet se kishte “shkrepje me armë dhe shpërthime”.
Ajo nuk dha detaje se kush mund të jetë përgjegjës, por tha se “protestuesit” kanë prekur zyrat e komisioneve komunale zgjedhore.
Policia, po ashtu, tha se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka kërkuar ndihmë asaj rreth përgatitjeve për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.
Të gjitha komuna, të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, janë pa kryetarë qysh në fillim të nëntorit.
Ata kanë dhënë dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në veri.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpallur më pas 18 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve atje.
Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila mbështetet nga Beogradi zyrtar dhe ka udhëhequr komunat në veri – i kundërshton këto zgjedhje.
Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë konfirmuan për REL-in se zyrtarët komunalë të zgjedhjeve shkuan të martën në zyrat e tyre në Mitrovicë të Veriut dhe në Zubin Potok, “me qëllim të ushtrimit të detyrave zyrtare”, por se një gjë e tillë “nuk ka qenë e mundur”.
Pa dhënë më shumë detaje, ata paralajmëruan se do të mbajnë një mbledhje “për të diskutuar për situatën e krijuar në veri të vendit”.
Radio Evropa e Lirë kërkoi koment nga Qeveria e Kosovës në lidhje me këto zhvillime, por, deri më tash, nuk mori përgjigje.
Serbia akuzon Kurtin
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për, siç tha, “terror” ndaj serbëve.
Në një postim në Twitter, ai publikoi disa fotografi ku, siç tha, duken ambientet e Komisionit Komunal Zgjedhor na Mitrovicë të Veriut, “të shkatërruara nga forcat speciale” të Kosovës.
REL nuk e konfirmoi në mënyrë të pavarur vërtetësinë e atyre fotografive.
Përmes një komunikate për media, të publikuar më herët, Petkoviç tha se qëllim i Kurtit është që “me dhunë dhe me armë t’i rrëmbejë katër komunat në veri” dhe “në to të instalojë përfaqësues shqiptarë, përmes zgjedhjeve jolegale dhe jolegjitime”.
“Të gjithën e ka kurdisur dhe ia ka bërë regjinë Albin Kurti, derisa në Tiranë po mbahet samiti BE-Ballkani Perëndimor”, tha Petkoviç.
Osmani
Presidentja Vjosa Osmani në një deklaratë për mediat në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë u pyet edhe në lidhje me sulmet në veri të Kosovës. Osmani tha se është një sulm i kryer nga bandat e përkrahura nga Vuçiç.
‘Ne jemi në kontakt të përditshëm me kryetarin e KQZ-së dhe në veçanti koordinimeve që janë bërë me institucionet e qeverisë. Për fat të keq situata në veri eskalon për një arsye të vetme bandat e përkrahura dhe financuara nga Vuçiç kanë për qëllim të destabilizojnë veriun e Kosovës dhe vetë Ballkanin Perëndimor. Ne duhet të mbrojmë jetën e secilit qytetar tonin. Është me rëndësi se siguria e qytetarëve të jetë mbi të gjitha. Tani po e presim edhe raportin përfundimtar.’- tha Osmani.
Vuçiç
Edhe Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka folur për ngjarjen. “Sot përsëri, në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit, janë dërguar oficerë policie të armatosur në veri. Siç thashë dje, ju thjesht pyesni se në cilën ditë do të ndodhë ndonjë provokim i ri që mund të prishë stabilitetin dhe paqen. Është mirë që, të paktën sipas të dhënave aktuale nuk ka viktima dhe besojmë se do të mbetet e tillë. Për sa i përket kohës nuk e dimë se çfarë kanë në mendjen e atyre personave që duan të shkaktojnë konflikte çdo javë. Nuk është një periudhë e lehtë përpara ne, por është e rëndësishme që të qëndrojmë me popullin tonë dhe të pajtohemi me shqiptarët për gjithçka që është e mundur që paqja të ruhet dhe të ruhet. Gjithashtu besoj se Miroslav Lajçak do të luajë një rol të rëndësishëm në qetësimin e situatës”, tha Vuçiç.
Kur ka nisur rritja e tensioneve?
Tensionet midis Kosovës dhe Serbisë janë rritur qysh në verë, kur Qeveria e Kosovës ka thënë se nuk do të lejojë më në veri makina me targa që i lëshon Serbia.
Duke kundërshtuar zbatimin e këtij plani që ka nisur më 1 nëntor, serbët e veriut kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, si në nivel lokal, ashtu edhe në atë qendror.
Kosova dhe Serbia, ndërkohë, kanë arritur një marrëveshje për çështjen e targave, në bazë të së cilës, Prishtina ka pezulluar planin për riregjistrimin e makinave, ndërsa Beogradi është zotuar se nuk do të lëshojë targa të reja për serbët në veri.
Tash për tash, nuk është e qartë nëse serbët e veriut do të mund të kthehen në institucionet e Kosovës dhe nëse po, si?!
Zhvillimet e fundit vijnë në ditën kur shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, konfirmoi se Prishtinës dhe Beogradit u është dorëzuar teksti i një plani për normalizimin e marrëdhënieve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




