Lexo me "Si"

Të shkruash në zemër të luftës!

Shkrimi është një akt marrëzie, dhe ata që e praktikojnë, jetojnë në botë fantazish, të mbytur në ëndrra të paarritshme në toka ku paqja nuk njihet, ndaj vendosa të rikthehem sërish te shkrimi. Por nuk u ndala këtu. Botuesi im i nderuar, Instituti Arab për Kërkime dhe Botime në Bejrut, ka rënë dakord të botojë këto ditarë të rinj si libër, Zhvendosja drejt Veriut, Një rrëfim urie dhe dhimbjeje. Por për të qenë i sinqertë, nuk e di nëse do të jetoj për të parë atë ditë, apo nëse, si shumë prej miqve të mi para meje, do të largohem nga kjo jetë në shpërthimin e ndonjë rakete të degjeneruar. Ende ëndërroj që lufta të marrë fund.

Nga Yousri Alghoul – Sa herë që kthehem pas me mendje te fillimi i këtij gjenocidi, një ngërç i madh më ngjitet në fyt, sepse kam kryer një akt të egër dhe të ndyrë, të denjë për turp të përjetshëm: i vura flakën ditarëve të mi dhe i vendosa nën një çajnik, duke zier çajin bashkë me kujtimet e tyre të grumbulluara.

Në fakt, kjo ishte hera e dytë që bëja atë mëkat jo se ndihesha i hutuar apo vuaja nga ndonjë çrregullim mendor, por sepse kisha frikë nga një fatkeqësi edhe më e madhe. Gaza është një pronë publike; asgjë nuk është e shenjtë. Forcat e kolonizatorit izraelit, ose hajdutët vendorë, mund të hynin në shtëpinë apo në bibliotekën time dhe të merrnin gjithçka dëshironin, pa frikën se dikush do t’i ndalonte. Ç’do ndodhte me mua nëse ato fletore shumëngjyrëshe do të binin në duart e kriminelëve që kanë bastisur institucione dhe shtëpi? Po sikur njëri prej tyre t’i postonte ditarët e mi në rrjete sociale? Si do reagoja nëse një hajdut më shfaqte lakuriq para gjithë botës? Të gjitha sekretet dhe momentet e mia të dobësisë të publikuara në Facebook, Instagram apo X që të gjithë t’i shohin? E imagjinoj dikë që shkruan me tallje: “Zbulohet ana e errët e autorit të njohur palestinez Yousri Alghoul! Këto janë momentet më të çmendura të Alghoul-it. Ja rrobat e pista të tregimtarit më të famshëm të Gazës!”

O Zot! Po të ndodhte kjo, si do ndiheshin vëllezërit e mi? Po të afërmit dhe fqinjët? Miqtë? Mikesha e mia? Ç’do mendonte gruaja ime kur të mësonte se luftoja me të në letër, sepse ndihesha i paaftë për ta bërë këtë në jetën reale? Çfarë do të më bënin? Do më digjnin në turrë?

Kështu, kërkova në rrënojat e shtëpisë sime për ditarët dhe kuptova se nuk ishin aty. Më herët atë ditë, kisha mbledhur gjithë forcën dhe qetësinë time dhe kisha nisur një operacion ushtarak në shkallë të gjerë. Përshkova rrugë dhe sokaqe  të kampit al-Shati si një ushtar elitar i një njësie komando, duke u drejtuar drejt shtëpisë sime. Zona ishte krejtësisht e zbrazët, përveç dronit izraelit në qiell që survejonte tiparet tona të fytyrës, i vendosur për të vrarë edhe buzëqeshjen më të vogël, edhe pikën më të vogël të gëzimit.

Yousri Alghoul

Kur arrita në shtëpinë e braktisur, e gjeta derën hapur. Fundja, zona Ard al-Ghoul në lagjen al-Murabiteen ishte një zonë e mbyllur ushtarake. Përveç një lepurushi endacak, nuk dukej asnjë qenie e gjallë. (Më vonë atë ditë, e mora lepurin me vete në shtëpinë e prindërve ku isha zhvendosur dhe vendosëm ta mbanim dhe ta bënim të besuarin tonë. Por ai vdiq të nesërmen nga frika prej bombardimeve, dhe shpirti i tij u shua përgjithmonë.)

I dogja ato kujtime të miat, duke ndjerë shijen e çajit që më rëndonte në zemër dhe në gjuhë.

Brenda shtëpisë kishte një boshllëk të madh. Muret ishin të shkatërruara; dollapet, rrobat, televizorët çdo gjë ishte rrëzuar në rrënoja.

Në bibliotekën time, e vetmja gjë që i kishte shpëtuar flakëve ishte një raft librash që qëndronte ende në këmbë. Kërkova më kot ndër librat e mi për fletoret personale, aq i përqendruar në atë kërkim, sa harrova të merrja edhe kopjet e romaneve të mia të botuara që ndodheshin aty, të cilat më në fund kisha arritur t’i sillja nga Ammani, Bejruti, Algjeria dhe Egjipti. Një arritje e madhe kjo, sepse Gaza është nën rrethim, dhe ushtarët e kolonizatorit, të armatosur sa me urrejtje aq edhe me armë, nuk i durojnë njerëzit e arsimuar. (“As fluturat nuk i durojnë,” thotë gjithmonë shoqja ime Ahlam.)

U nisa me nxitim drejt kampit al-Shati. Gjatë rrugës ndodhi një skenë absurde, e denjë për Charlie Chaplin-in ose Pat & Mat-in. Lepuri iku, unë e ndoqa, droni lëshoi një raketë drejt nesh, dhe u fshehëm bashkë poshtë një muri të rrënuar. Lepuri dridhej teksa e mbaja në duar sërish, dhe më dukej sikur më premtonte se, nëse shpëtonim nga kjo aventurë e marrë, nuk do të më linte më kurrë.

Gjatë gjithë zhvendosjes sime, nuk rreshta së menduari për ato ditarë. Ku kishin shkuar? Si do t’i rikuperoja ato faqe që për mua përfaqësonin gjithçka? Pastaj mendoja: nëse ushtarët ose hajdutët i gjenin, a do e vlerësonin dot kuptimin e asaj që mbanin në duar? Ndoshta thjesht do i shkelmonin, duke menduar se ishin të ndonjë gruaje që i kishte mbushur me receta gatimi, data, dhe lista pazari nga vizitat e miqve dhe të afërmve.

Filani solli një thes miell dhe dikush tjetër solli një kuti me biskota Aëda dhe ajo ka shënuar datën e skadencës në kllapa. Jo, unë nuk kam shkruar asgjë të tillë, por gjëra serioze, rreth punës sime dhe marrëdhënieve të mia personale me kolegë, të afërm dhe me autoritetet, ata bir… Po sikur ditarët të bien në duart e ndonjërit prej tyre dhe ai të mos përmbahet pa kërkuar ndonjë copëz për t’i ushqyer vetes egoizmin? Kam frikë se do të gjejë vetëm zhgënjimet e mia, dashuritë e dështuara, ose hollësitë e marrëdhënieve të zakonshme me lexuesit dhe urrejtësit e mi.

Ajo që më interesonte ishte të rimerrja fletoret përpara se ndonjë hajdut i shkolluar t’i përdorte për të më shantazhuar, duke më kërkuar një shumë të madhe parash për t’i kthyer. Por a lexojnë hajdutët? A u intereson atyre për mua, librat apo ëndrrat e mia? A do t’u shkonte ndonjëherë ndër mend, qoftë edhe për një çast të shkurtër, të lexonin mes rreshtave të një tregimi që për ta nuk ka asnjë kuptim? Sigurisht që jo. Askush nuk do të shqetësohej për punët e mia personale. Përse lodhesha, pra? Nuk e di.

Gjithsesi, u zhvendosa në kampin Jabalia pasi forcat e kolonizatorit filluan të godisnin shtëpitë pranë banesës së prindërve të mi në kampin al-Shati. Na qëlluan me bomba tymuese, artileri, topa dhe më shumë. Kiameti kishte mbërritur në kampin tonë dhe ne u dehëm të gjithë nga paniku. Ikëm pa menduar. Dyzet ditë dhe dyzet netë më pas, u ktheva në kampin al-Shati dhe e gjeta krejtësisht të shkatërruar, përveç disa blloqeve të rralla.

Rreth asaj kohe, Djalli më rrethoi sërish, duke më mbjellë ide të dhimbshme për ditarët e mi. Vendosa të nisesha drejt zyrës sime në lagjen Tel al-Haëa për të kërkuar thesarin tim të varrosur ndër raftet e saj. Nuk kishte piratë në tokë që të më luftonin me shpata, por në ajër kishte plot avionë lufte, dronë zbulues dhe quadcopters, një tjetër aventurë e paharrueshme.

Mes shkatërrimit të madh në veri të Gazës, njerëzit kishin dalë me karroca me gomarë dhe tuk-tuk të ndryshkur, duke shkuar drejt shkollave të UNRËA-së dhe ndërtesave të mbetura të universiteteve, që do të shërbenin si strehë derisa të përfundonte kjo vuajtje pa fund. Në këtë atmosferë, nisa të vrapoja si në një garë të gjatë. Zgjidhja rrugët midis turmave, derisa më në fund mbërrita në ndërtesën e punës sime, e cila ishte e mbushur me të zhvendosur që kishin ardhur nga larg.

M’u ngritën leshrat në trup kur hapa derën; ndihesha sikur kisha dalë nga puna vetëm dje. U ngjita në zyrën time në katin e katërt dhe aty zbulova se pajisjet e mia elektronike, laptopët, telefonat, gjithçka, ishin vjedhur. Hajdutët më kishin lënë vetëm një karikues laptopi.

Por e vetmja gjë që më interesonte ishin fletoret. Kërkova në sirtarë dhe më në fund i gjeta të treja. Një e zezë që e kisha marrë në Paris, pikërisht në zyrat e France 24; një e gjelbër që e kisha blerë në një qendër tregtare në Kuala Lumpur, Malajzi; dhe një e kuqe, prodhim vendas, dhuratë nga Ooredoo Ëireless për klientët e saj të çmuar.

Zemra më rrihte fort, nisa të kthej faqet. Oh-ho! Më në fund kisha fletoret në duar dhe frika m’u zhduk. U ktheva në shtëpinë e prindërve, triumfues. Në dhomën ku po qëndroja me familjen time, nisa të rilexoj ditarët, duke u përqendruar te episodet që përfunduan në romanin tim politik.  Kuptova se vetë ekzistenca e këtyre shënimeve më vinte në rrezik.  Isha tërësisht i zbuluar. Dhe kështu vendosa, në një çast marrëzie, të digjja fletoret e mia në çati.

 Në fakt, ishte pikërisht ajo çati ku dikur kisha djegur edhe fletoret e adoleshencës, për të cilat gruaja ime më kishte vënë përpara një kusht: ose i zhduk ato, dhe ajo qëndron, ose i mban, dhe ajo kthehet te familja e saj. Në të dy rastet, unë zgjodha paqen, ndaj i dogja ato kujtime të miat, dhe shija e çajit ishte e rëndë për zemrën dhe për gjuhën.

Shkrimi është një akt marrëzie, një çmenduri e atyre që jetojnë në botë fantazmash.

Shkrimi është një akt marrëzie, dhe ata që e praktikojnë, jetojnë në botë fantazish, të mbytur në ëndrra të paarritshme në toka ku paqja nuk njihet, ndaj vendosa të rikthehem sërish te shkrimi. Por nuk u ndala këtu. Botuesi im i nderuar, Instituti Arab për Kërkime dhe Botime në Bejrut, ka rënë dakord të botojë këto ditarë të rinj si libër, Zhvendosja drejt Veriut, Një rrëfim urie dhe dhimbjeje. Por për të qenë i sinqertë, nuk e di nëse do të jetoj për të parë atë ditë, apo nëse, si shumë prej miqve të mi para meje, do të largohem nga kjo jetë në shpërthimin e ndonjë rakete të degjeneruar.

Ende ëndërroj që lufta të marrë fund. Po filloj të shkruaj këto faqe ditari, duke u përpjekur të ruaj qetësinë teksa dëgjoj Fairuz-in, me zërin e saj që konkurron zhurmën e avionëve luftarakë sipër. Në tokë, gjaku më rrethon, duke më mbajtur mendjen te ditarët, librat, biblioteka ime… shtëpia ime, që u shkatërrua tërësisht, dhe me të edhe të gjitha tregimet dhe fitoret e mia të vogla. Vallë, do t’i rezistoj kësaj? A do të jem në gjendje një ditë ta rimarr jetën time në dorë, të rindërtoj shtëpinë dhe bibliotekën time? Ndoshta…

Burimi: World Literature Today

Romancier, tregimtar dhe eseist, Yousri Alghoul ka botuar dy romane dhe gjashtë përmbledhje tregimesh të shkurtra. Ai është fitues i Çmimit për Tregimin e Shkurtër të Ministrisë së Kulturës në vitin 2002. Alghoul është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve Palestinezë dhe anëtar komiteti në YMCA-Gaza si dhe në disa organizata të shoqërisë civile.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë