Treg

Të shesësh lule 3 ditë në vit

Të shesësh lule 3 ditë në vit

M.S. është një zotëri që zakonisht punon në ndërtim. Por ka mbi 10 vjet që del në rrugë për të shitur lule në 3 ditë të zgjedhura të vitit, Shën Valentin, 7 dhe 8 mars, në një cep trotuari në zonën e ish-Bllokut.

“E nisa për t’i bërë qefin gruas, të them të drejtën. Asaj i pëlqente të punonte me lulet dhe dolëm t’i shisnim. Tani u bëmë 10 vite në të njëjtin vend”, thotë ai për Gazetën “Si”.

Bashkëshortja e M.S qëndron një kryqëzim më lart bashkëshortit, përsëri duke shitur lule, në 3 ditë të vitit.

Një buqetë e organizuar bukur dhe thjesht mund ta marrësh për 500 lekë te M.S dhe bashkëshortja e tij. Ndonjë buqetë tjetër shumë më të madhe mund ta blesh për 1000 lekë.

“Lulet m'i sjell nipi nga Holanda qysh prej shumë vitesh. Kam 2 ditë që i punoj këto këtu. S'e vras mendjen për lodhjen, por më shumë se mos m'i prish shiu këtu në rrugë”, shqetësohet shitësi.

Fitimet e tyre së bashku për 2 ditë shkojnë rreth 10-20 mijë lekë. Pak vite më parë shitjet ditore të luleve nga M.S mund të arrinin shifrën e 60 mijë lekëve sepse dyqanet fizike ishin më të pakta dhe njerëzit kishin dëshira më të thjeshta. Tani "tregu informal i luleve" është penalizuar nga klientët që kanë formuar shije të tjera për buqetat me lule, organizime të personalizuara dhe forma nga më të ndryshmet si edhe nga dyqanet që i ofrojnë këto. Sipas M.S. një shitës në rrugë nuk ka mundësinë t’i përmbushë këto "teka".

Shitësi i luleve thotë se dyqanet e mirëfillta e ndjejnë konkurrencën e atyre pak ambulantëve që dalin për ditë festash. “Më ka ndodhur të më vijnë pronarët e dyqaneve e të mundohen të më largojnë me justifikimin se i kisha prishur punë dhe i kisha dal përpara dyqanit. Ndërkohë, dyqani i tyre ishte shumë larg. Prandaj zgjedh këtë cepin e rrugës këtu nuk shqetësoj as bizneset e as individët”, thotë M.S. Disa kohë më parë shitësi shqetësohej dhe u trembej autoriteteve bashkiake që mund të mos e lejonin shitjen e tyre, por më vonë pikërisht këto 3 ditë, Bashkia e Tiranës i lejoi shitësit e luleve.

"Dita më me shumë shitje gjatë gjithë kohës është 8 Marsi, kur burrat janë klientët në masën më të madhe", tregon shitësi duke qeshur.

Gjatë kohës së komunikimit tonë me shitësi e luleve, shumë klientë u afruan për të blerë buqeta dhe sapo merrnin vesh çmimet modeste të tij, rrisnin kërkesën tyre. Mes tyre ishte edhe një zotëri, një ish-akademik që bleu një karafil teksa në dorë mbante një trëndafil. “Një e kam për gruan, një e kam për komshijen, është e ve, pa djalë, e kujtojmë gjithmonë, ndër vite”, tregon blerësi.

Si ai, ndalojnë gjithnjë e më shpesh edhe të tjerë. Aty pranë urës së Bllokut lulet janë me çmim të ulët... Të paktën në 3 ditë të vitit...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë