Shendet

Të rrethuar nga varianti indian i Covid-19. Pse s’ka hyrë ende në Shqipëri?!

Varianti Delta prej një muaji tashmë është bërë kërcënues edhe për vendet e Europës dhe autoritetet shëndetësore po përpiqen të vaksinojnë sa më shpejtë popullatën. Në vendin tonë po çdo ditë duket një situatë e qetë epidemiologjike dhe rastet e infektimeve dhe shtrimet janë ulur ndjeshëm. Për variantin Delta, autoritetet shëndetësore në vendin tonë sigurojnë që nuk jemi të prekur nga ky variant.

Alban Ylli

Eksperti i shëndetit publik, Alban Ylli tha për Gazetën “Si” se ka një sërë arsyesh pse varianti Delta nuk ka mbërritur. Sipas tij ka shumë pak raste në qarkullim dhe kjo është ndër arsyet fillestare. Më pas ndikon stina e verës kur virulenca e viruseve në përgjithësi është shumë më e ulët, e vaksinimi dhe imuniteti natyral që qytetarët kanë fituar.
Të njëjtën gjë konfirmoi edhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastiliu të enjten në mbledhjen e kuvendit. Duke e cilësuar si një “alert” gjendjen e variantit Delta, Ministrja tha se Shqipëria është ende e pastër nga ky variant.

Ilir Alimehmeti

Mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti  në një deklaratë të fundit për mediat tha se varianti Delta do të jetë shumë shpejtë dominant në Europë. Ai theksoi se situata e vjeshtës varet nga shumë faktorë si procesi i vaksinimit, imuniteti natyral dhe rruga  e duhur për të shmangur rritjen e rasteve është vaksinimi sa më i gjerë i popullatës me dy doza vaksina Pfizer dhe AstraZeneca e gjithashtu sekuencimi i gjerë gjenetik i rasteve të reja. Sipas tij nuk ka vend për panik pasi varianti delta është shumë më pak vdekjeprurës se variantet e mëhershme të COVID-19. Gjithashtu eksperti shpjegon se është vërtetuar shkencërisht se imuniteti natyror pas infektimit nga COVID-19 ofron një mbrojtje shumë të mirë ndaj variantit Delta.

Më tej eksperti tha se është shumë e rëndësishme që të mbrohemi nga vendet që anë një incidencë të lartë të infektimeve duke vendosur disa masa për qytetarët që vijnë në vendin tonë.

Por vendet e rajonit nuk kanë pasur të njëjtin “fat” i pavarësisht se për hyrjen e qytetarëve në të gjitha vendet e Ballkanit ka masa kufizuese kurse në Shqipëri çdo turist mund të hyjë pa asnjë lloj kufizimi. Madje ardhja e qytetarëve në vendin tonë nuk ka qenë e pakët. Sipas të dhënave nga INSTAT, raportohet se shtetasit kosovare kanë dyfishuar hyrjet drejt Shqipërisë në muajin maj duke përbërë gati 40% të totalit të hyrjeve në vend.
Të dhënat tregojnë se nga vendet e rajonit gjatë pesë mujorit të fundit kanë hyrë në vendin tonë rreth 1 milion qytetarë nga vendet europiane dhe jo vetëm, ku varianti Delta është identifikuar që në fundit e muajit Maj.
Pjesa më e madhe e vendeve të rajonit tashmë është prekur nga varianti Delta.

Të martën u konfirmuan në Kosovë rastet e para me këtë variant, lajmi u bë i ditur nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës. Nga 22 mostra të dyshimta që ishin dërguar për analizë në Berlin, 2 prej tyre u dolën pozitive me variantin Delta. Në total numri i rasteve aktive është 165.

Më datën 8 qershor Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut njoftoi se në vend ishte regjistruar personi i parë i infektuar me variantin indian të koronavirusit, i njohur ndryshe si varianti delta. Të dhënat treguan se ai ishte kthyer nga Iraku dhe qëndroi në spital 10 ditë. Ndërsa rasti i dytë që u konstatua ishte koleg i pacientit të parë. Varianti Delta po bëhet një problem i madh edhe në shtetin grek. Sipas Kryetares së Komitetit Kombëtar të Vaksinimit Maria Theodoridou se varianti Delta mund të përhapet më shpejtë nga qytetarët e pambrojtur nga Covid-19, kështu që ishte shumë e rëndësishme qytetarët të vaksinoheshin sa më parë. Autoritetet shëndetësore atje prej ditësh kanë dhënë alarmin se janë dyfishuar rastet ditore me Covid-19 brenda një jave dhe ekspertët kanë shpjeguar se më shqetësues është fakti që ky variant po infekton masivisht të rinjtë.
Vendi i radhës ku ka mbërritur të enjten varianti Delta është Serbia. Autoritetet shëndetësore atje kanë konfirmuar 2 raste e para me këtë variant atje. Nga të dhënat bëhet me dije se të prekurit janë dy të rinj që ishin vaksinuar dhe ishin ardhur nga Rusia. Ndërkaq ende nuk janë raportuar raste të këtij varianti në Malin e Zi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë