Nga Gazeta Si- Qëndrimi i gjatë ulur dhe mungesa e aktivitetit fizik po shkaktojnë deformime të parakohshme të shpinës dhe po rrisin rrezikun e komplikacioneve serioze, deri edhe paralizë tek të rinjtë.
Mjekët ortopedë në vend kanë ngritur alarmin për përhapjen në rritje të problemeve me shtyllën kurrizore, veçanërisht mes të rinjve shqiptarë.
Sipas specialistëve, personat që i përkasin profesioneve që kërkojnë shumë orë ulur, si punonjës Call Center, pedagogë, gazetarë, drejtues automjetesh, rrobaqepëse dhe punonjës fasonerie, janë më të prekurit.
“Shumica e pacientëve tanë nuk ushtrojnë asnjë aktivitet fizik. Pas orëve të punës, ata vazhdojnë të qëndrojnë ulur përpara telefonit ose kompjuterit, duke rënduar akoma më shumë muskujt dhe shtyllën kurrizore”, thonë mjekët ortopedë.
Skolioza, një problem në rritje
Një nga patologjitë më të zakonshme është skolioza, lakimi anësor i shtyllës kurrizore që nëse nuk trajtohet në kohë, mund të shkaktojë dhimbje të forta, presion mbi nervat e palcës kurrizore, mpirje, dobësi në gjymtyrët e poshtme, dhe në raste të rënda, probleme me frymëmarrjen dhe funksionimin e zemrës.
Simptomat më të shpeshta të vërejtura janë:
Asimetri e supeve ose e pelvisit
Dalje e njërit ose të dy supeve
Gungë në pjesën e sipërme të shpinës
Lodhje e shpejtë dhe mungesë përqendrimi
Qëndrimi ulur: një kërcënim i heshtur për trupin
Ekspertët theksojnë se qëndrimi ulur për periudha të gjata ndikon negativisht jo vetëm në shpinë, por në të gjithë trupin, duke përfshirë:
Tendosje të legenit
Dobësim të muskujve abdominalë
Dëmtim të diskut vertebral
Tendosje të qafës
Çrregullime të qarkullimit të gjakut
Rritje të rrezikut për obezitet
“Çdo vit, mijëra njerëz kërkojnë ndihmë mjekësore për shkak të dhimbjeve të mesit, pa e ditur se shkaku kryesor është qëndrimi i zgjatur ulur,” paralajmërojnë mjekët.
Thirrja e mjekëve: Lëvizni sa më shumë!
Mjekët apelojnë që qytetarët të kryejnë rregullisht aktivitet fizik, të bëjnë pushime të shkurtra për t’u çuar dhe shtrirë gjatë orarit të punës, dhe të kenë kujdes me qëndrimin para pajisjeve elektronike. “Lëvizja është ilaçi më i mirë për parandalimin e këtyre problemeve,” theksojnë specialistët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.