Amantia është 28 vjeç. Është diplomuar për teknologji ushqimore katër vite më parë në Univeresitetin e Tiranës.
Ajo sot nuk punon në profesionin e saj. Amantia kalon 6 orë në ditë me kufje në vesh nga shtëpia, se punon për llogari të një call centeri ku lidh kontrata për një kompani telefonike italiane. Njëkohësisht kujdeset edhe për të birin dy vjeçar, që për shkak të pandemisë, nuk e ka shpënë në çerdhe.
“Unë profesionin e kam zgjedhur me shumë dëshirë. Kam mbaruar me mesatare 9,2 universitetin. Kam pasur shumë pasion sektorin e sigurisë ushqimore, pasi kam jetuar për shumë vite me familjen në Itali në shtëpinë e një pastiçieri artizan. Por tregu në Shqipëri më erdhi shumë I çuditshëm. Jam penduar që nuk vijova studimet në Itali. Por jeta merr rrjedhën dhe ja ku jam”- thotë Amantia.
Të dhënat e INSTAT ndër vite tregojnë se shkalla e papunësisë tek të rinjtë mbetet 20-30 përqind dhe me shumë luhatje.

Në fillim të këtij viti, në kohën kur pandemia goditi vendin, papunësia u rrit dhe 8,3 % e të rinjve ende figurojnë si të papunë të dekurajuar që nuk merren me asnjë aktivitet mësimor apo ekonomik dhe nuk janë duke kërkuar të punësohen.

Studimi më i fundit i Gallup tregoi se rreth 62% e të rinjve në vend dëshirojnë të largohen nga Shqipëria për një të ardhme më të mirë.
Erisa Arizi nga Agjencia E2 Partner Group Albania e fokusuar në fushën e burimeve njerëzore dhe rekrutimit të punonjësve, thotë se kërkesa e oferta në tregun shqiptar të punës vazhdojnë mbeten në disproporcion.

“Biznesi sa vjen e sofistikohet në kërkesë edhe në cilësi kandidatësh, ndërkohë që punëkërkuesi në vetvete ka humbur besimin e të paturit një karrierë solide edhe afatgjatë në Shqipëri.”- shpjegon Arizi.
Nga eksperienca Arizi vëren se tregu ka uri për pozicione shitës/ punëtor magazine/ agjent shpërndarje/ recepsion/ farmacist etj.
Teksa kërkesa nga ana e të rinjve sipas saj mbetet totalisht e pastrukturuar.
“Asnje punëkerkues i ri sot nuk e ka të qartë se ku e si duhet të drejtohet për të parë për oportunitete punësimi. Që sapo diplomohet asnjë nga institucionet në dijeninë tonë nuk jep qartësi përsa i përket kësaj. Zyrat e punësimit si dhe agjencitë shtetërore në këndvështrimin tim mbeten totalisht pa funksione përsa i përket emërtimit që kanë dhe propagandës që promovohet. Një i ri që diplomohet sot nuk e ka fare të qartë ku mund e si do duhet të aplikojë diku ku përshtatet me profilin e tij edhe si mund të zhvillohet në karrierë.”- thotë Arizi teksa tregun nuk e lidh me krizën. Sipas saj “është justifikim”.
Për Arizin tregu i punës për të rinjtë është kaotik dhe i paorientuar.
Kurse të dhënat e marra nga duapune.com tregojnë që në periudhën e krizës tregu u orientua më shumë tek punësimi i të rinjve (pjesa më e vështirë për t’u prekur nga COVID), si dhe për aftësitë e tyre për t’u përshtatur më lehtë në situatën e re të krijuar.
Pas një gjendjeje pauze në javët e para të izolimit të pandemisë, ku dukej se gjithçka do të ngrinte, dhe askush nuk do dinte hapin e rradhës, kërkesa dhe oferta për punë, thotë Dritan Mezini nga duapunë.com. nisi të ndryshonte dhe të reflektonte rritje sidomos në disa sektorë apo kategori punësh.

“Pandemia rriti kërkesën sidomos për punësimin në distancë (online) nga shtëpia. Aftësitë kyçe të kërkuara në këtë rast lidheshin kryesisht me përdorimin apo qasjen ndaj përdorimit të teknologjisë, kjo gjë favorizoi disi më shumë të rinjtë. Por nga ana tjetër ndodhi dhe fenomeni i shkrirjes së pozicioneve të punës , duke i riformatuar ato në bazë të kërkesave të reja të kohës së krizës , duke kërkuar kështu me shumë aftësi, kompetenca të kombinuara njëherësh në një pozicion pune , gjë e cila nuk favorizoi shumë të rinjtë të cilët ishin dhe janë të papërgatitur për këtë situatë.”- shpjegon Mezini.
Sipas tij, kjo periudhë tregon që më shumë se mosha, punëkërkuesit duhet të përqëndrohen më shumë tek aftësitë e personalitetit si përshtatshmëria, menaxhimi në situata krize etj.., kompetenca profesionale dhe mbi të gjitha njohja dhe përdorimi i mirë i teknologjisë.
Nga të dhënat e gjeneruara prej duapunë.com, pozicionet e punës më të shpeshta dhe më të favorshme për të rinjtë vazhdojnë të jenë ato të një viti më parë sipas edhe Indeksit 2020 të kësaj platforme edhe pse post pandemie.
Kërkohen më së shumti Agjent Shitjesh, Operatorë, shërbim klienti dhe asistente të departamenteve të ndryshme, si dhe specialistë të teknologjisë së informacionit. Në lidhje me pagat për grupmoshën e të punësuarëve të rinj, janë mesatarisht 26.000 – 50.000 Lek për nivelet pa eksperiencë ose deri në dy vite eksperiencë.

Kurse kërkesa e të rinjve orientohet për të aplikuar në pozicione të marketingut, si social media manager, shërbim klienti apo data entry.
Problematika kryesore që shfaqet tek të rinjtë sot thotë Mezini, është eksperienca e pakët ( mungesë të punës gjatë kohës së shkollës, e praktikave profesionale, e punëve vullnetare, e CV-ve të mirëpunuara dhe të gatshme për treg pune etj..
Mospasja e një këshillimi karriere të qëndrueshëm gjatë viteve të shkollës, mospërfitimi i mjaftushëm profesional e vështirësojnë procesin e punësimit, dhe si rrjedhojë ata nuk mund të kalojnë me sukses fazat e rekrutimit.
Si duhen nxitur të rinjtë që të gjejnë veten në tregun shqiptar të punës dhe të mos largohen jashtë vendit?
Si për Arizin, ashtu edhe për Mezinin të rinjtë integrohen në tregun e punës duke krijuar eksperiencë pune që në bankat e shkollës.

“ Nevojiten platforma të qarta që tregojnë nevojat e profileve dhe niveleve të kërkuara. Nevojitet që pedagogë e specialistë të japin këshillim karriere për këtë brez që diplomohet apo dhe ata që janë në hapat e para të punësimit. Nevojitet të strukturohen e të marrin edukatën e punës dhe të trajtohen me respekt në mënyrë që dëshirën për punësim mos ta kenë vetëm kur mendojnë për të shkuar apo kur mbërrijnë në Itali/ Greqi/ Angli….”- shpjegon Arizi.
Edhe Mezini nga duapunë.com sugjeron që mundësia më e mirë në këto raste është gjetja e internshipeve apo e pozicioneve të punëve që kërkojnë pak eksperiencë dhe kanë më shumë në fokus aftësitë e buta të aplikantëve. Në të tilla raste, thotë ai, mjafton dëshira për të punuar, korrektësia në punë, komunikimi, bashkëpunimi në grup dhe puna është e sigurtë.
“Ofrimi dhe edukimi në mënyrë të vazhdueshme i karrierës së tyre, duke bërë një plan të detajuar dhe të kujdesshëm se ku të kërkojnë punë, çfarë përmban dosja e aplikimit për punë, etj.”- sqaron ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



