Treg

“Të rinisë transporti publik. S’kemi të hamë”. Të mërkurën punonjësit protestë

Shoqatat e transportit thonë se po iu bëhet presion e po kërcënohen pas protestave

Janë 10 mijë punonjës në sektorin e transportit publik që prej katër muajsh po vuajnë papunësinë, të cilët kanë paralajmëruar se të mërkurën do të dalin në protestë.

“Nëse duan ta zgjasin pandeminë, le ta zgjasin, por të rinisë puna për transportin publik. Në asnjë vend të botës, edhe në vatrat e “zjarrit” të Covid-19 nuk pati ndonjëherë ndërprerje të Transportit Publik. Transporti është për të mëdhenj e të vegjël, të moshuar, të sëmurë, ata që shkojnë në punë. Kështu paralizohet komplet jeta. Është sektori i vetëm që nuk ka nisur nga puna dhe protokolli doli vonë dhe ka kundërshti brenda vetes, prandaj punonjësit; shoferë e fatorino do të dalin të mërkurën në protest”- thotë Eneo Sulejmanaj, kreu i Shoqatës së Transportit Ndërqytetas dhe Rrethqytetas i Udhëtarëve.

Ai bën me dije se punonjësit kanë deklaruar se nuk rinisin punën, nëse nuk korrigjohet protokolli.

Në të njëjtën kohë edhe Kujtim Mema nga Shoqata e Transportit Ndërqytetas thotë se gjendja e Transprotit Publik është alarmante.

“Ne rezervat i mbaruam. Punonjësit nuk kanë patur rezerva dhe 26 mijë lekshi dhe 40 mijë lekshi nuk është shpëtim për ta. Po jetojnë me lekë borxh, po mbajnë familjen me hua. Transporti duhet të nisë menjëherë nga puna pavarësisht rasteve të shtuara me Covid-19, ndryshe ne do të dalim në protest”- thotë Kujtim Mema.

Shoqatat i kërkojnë qeverisë të plotësojë kërkesat e artikuluara që në krye të herës; heqjen e akcizës së naftës dhe uljen e TVSH-së, plus një pagë shtesë sepse jetesa e punonjësve, sipas tyre është bërë tashmë e pamundur.

Përpos kësaj, ata kërkojnë në mënyrë urgjente korrigjimin e protokollit të sigurisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë