Keshilla

Të qash shumë të bën mirë…

Nga Gazeta ‘Si’- Unë jam nga ata njerëz që qaj shpesh. Lotët më rrjedhin kur jam e trishtuar. Ose mirënjohëse. Ose e frustruar. Kur mahnitem, kur jam para ciklit, kur jam shumë e lumtur, kur ndiej lehtësim… E kuptoni idenë. Dikur përpiqesha ta fshihja këtë prirje, sikur të ishte diçka për t’u turpëruar. Por me kalimin e kohës kam mësuar ta vlerësoj këtë anë timen për atë që është: një pjesë e shëndetshme dhe e bukur e natyrës sime që ndien thellë.

Megjithatë, ideja se të qash lehtë është shenjë dobësie emocionale apo paqëndrueshmërie vazhdon të qarkullojë. Prandaj lind pyetja: a është në rregull të qash… relativisht shpesh?

Psikologët thonë se turpi dhe stigma rreth të qarit ekzistojnë vërtet, por kjo lidhet më shumë me mënyrën si kultura jonë i kupton ose më saktë, nuk i kupton emocionet. Me fjalë të tjera, problemi nuk je ti që qan; është mënyra si jemi mësuar t’i gjykojmë emocionet.

Çfarë bën në të vërtetë e qara për ne?

Funksioni kryesor i të qarit është të na ndihmojë të përpunojmë dhe shprehim emocione të forta. E qara emocionale është tipike njerëzore; është një nga mënyrat më të thella për të shprehur përjetimet tona të brendshme. Në një farë mënyre, të qash shpesh mund të nënkuptojë se je në kontakt të vazhdueshëm me njerëzoren tënde, edhe kur kjo përfshin emocione që i quajmë “negative”, si trishtimi.

Shumë prej nesh e dinë instinktivisht se ka diçka çliruese në një të qarë të mirë. Dhe kjo nuk është thjesht ndjesi subjektive. Të qash, sidomos kur je vetëm, mund të funksionojë si një lloj vetë-terapie. Të detyron të ndalesh, të mendosh për atë që po ndjen dhe ta përpunosh. Shpesh, pas lotëve vjen një ndjesi lehtësimi.

Nga ana fiziologjike, e qara ndihmon trupin të rregullojë stresin. Kur emocione, qofshin pozitive apo negative na pushtojnë, sistemi nervor aktivizon reagimin “lufto ose ik”. Para se të fillojnë lotët, ky reagim arrin kulmin. Kur fillon e qara, sistemi i relaksimit nis të aktivizohet. Është si një valvul presioni që çliron tensionin e grumbulluar.

E qara gjithashtu nxit çlirimin e kimikateve që na bëjnë të ndihemi më mirë, si endorfinat (qetësues natyralë të dhimbjes) dhe oksitocina, e njohur si “hormoni i lidhjes”. Kjo krijon një ndjesi sigurie dhe afërsie, si me veten ashtu edhe me të tjerët.

Sepse po, e qara ka edhe një funksion social. Lotët komunikojnë nevojat tona. I tregojnë tjetrit: “Kam nevojë për mbështetje” ose “Kjo ka shumë rëndësi për mua”. Shpesh, njerëzit reagojnë me më shumë empati kur shohin dikë që qan, sepse e kuptojnë se emocioni është real dhe i thellë.

Pse disa njerëz qajnë më shumë?

Prirja për të qarë ndikohet nga shumë faktorë: familja ku je rritur, kultura, personaliteti, madje edhe biologjia. Ka një variacion të madh mes njerëzve, dhe kjo është krejtësisht normale. Disa janë më të përmbajtur, të tjerë më shprehës.

Të qash shpesh mund të jetë shenjë se je person i ndjeshëm, empatik dhe emocionalisht i hapur. Mund të nënkuptojë se je i/e vëmendshëm ndaj botës së brendshme dhe asaj përreth. Në vend që të jetë dobësi, kjo mund të tregojë një jetë të brendshme të pasur dhe një higjienë emocionale të shëndetshme.

Veçanërisht interesante është e qara nga emocione pozitive – nga gëzimi, mirënjohja apo mahnitja. Kjo tregon kompleksitet emocional. Të prekesh deri në lot nga një vepër arti apo një moment i bukur kërkon një nivel të caktuar zhvillimi emocional.

Nga ana tjetër, fakti që lejon veten të qajë mund të tregojë se nuk po i shtyp emocionet. Shtypja kronike e ndjenjave konsiderohet e dëmshme, sepse nuk i jep mundësi trurit t’i përpunojë ato siç duhet. Kjo nuk do të thotë që kush nuk qan shumë është domosdoshmërisht i shtypur, por nëse shpesh ndien impulsin për të qarë dhe e mban me zor, kjo mund të krijojë tension të brendshëm.

A ekziston diçka si “të qash tepër”?

Lajmi i mirë është se nuk ka një prag të caktuar ku ekspertët do të thoshin: “Kaq mjafton, kjo është shumë.”

E qara bëhet shqetësuese vetëm nëse ndikon negativisht në humorin apo funksionimin e përditshëm nëse po të pengon në punë, në marrëdhënie, ose shoqërohet me ndjesi të vazhdueshme dëshpërimi.

Në ato raste, është e rëndësishme të flasësh me një profesionist të shëndetit mendor për të kuptuar nëse ka ndonjë shkak më të thellë, si depresioni apo çrregullime të tjera.

Përndryshe? Lëri lotët të rrjedhin. Të qash nuk është shenjë dobësie. Është një shenjë se ndien, përpunon dhe jeton thellë. Dhe kjo, në vetvete, është diçka për t’u vlerësuar./ Marrë me shkurtime nga Self.com


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë