Nga Gazeta ‘SI’ – Të punësuarit në fushën e teknologjisë së informacionit të regjistruar në subjektet me aktivitet kryesor në këtë fushë, në Shqipëri do të paguajnë kontribute të sigurimeve shoqërore sa për një pagë minimale, cilado të jetë vlera reale e pagës.
Ky është propozimi i fundit i bërë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me qëllim aplikimin e lehtësirave në një fushë të re zhvillimi me rëndësi për vendin.
Në projektligj, ndryshimi i referohet një ligji të miratuar vitin e shkuar për “parqet teknologjike” , ku subjekte të kësaj fushe, do të mund të kryejnë kërkime dhe studime teknologjike me fonde shtetërore, në një agjenci nën drejtimin e ministrisë së Ekonomisë.
“Zhvillimet teknologjike kanë transformuar tregun e punës e, për rrjedhojë, edhe mënyrën e të punuarit, duke sjellë nevojën e përshtatjes konkrete të sistemit të mbrojtjes shoqërore dhe shëndetësore me këto zhvillime”, thuhet në dokument.
Të punësuarit e këtij sektori janë prej një viti në fokus të qeverisë e cila i ka dedikuar fonde të veçanta, që nga grantet për ide Start-Up e deri tek rritja disafish e pagave në shtet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.