Kosova

Të premten takohen Bislimi dhe Petkoviç, çështja e targave sërish në axhendë

Të premten, më 13 maj, në Bruksel do të mbahet takimi i radhës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në nivel të kryenegociatorëve.

Ky takim pritet të shërbejë si përgatitje për takimin e ardhshëm në nivel të lartë për dialogun Prishtinë-Beograd.

Kështu ka deklaruar në një përgjigje me shkrim zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano.

Stano ka thënë se takimi i së premtes, mes kryenegociatorit të Kosovës Besnik Bislimit dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviç, ka për synim të vazhdojë diskutimet për gjetjen e rrugës përpara për një numër çështjesh.

“Dialogu i ndërmjetësuar nga BE do të vazhdojë të premten më 13 maj me një takim në nivelin e kryenegociatorëve në Bruksel. Qëllimi është të vazhdojnë diskutimet për gjetjen e një rruge përpara për një sërë çështjesh dhe të përgatitet takimi i ardhshëm i nivelit të lartë të Dialogut”, ka deklaruar Stano.

Ai ka theksuar se çështja e targave, energjisë dhe personat e pagjetur do të jenë sërish në axhendë.

“Të gjitha temat e diskutuara në takimin e fundit të kryenegociatorëve në prill do të jenë sërish në axhendë, veçanërisht targat, energjia dhe personat e zhdukur”, u shpreh Stano.

Takimi i fundit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, në mes liderëve, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, qe zhvilluar në korrik të vitit të shkuar. Javën e shkuar në Berlin ata patën një darkë jozyrtare, me ftesë të kancelarit gjerman Olaf Scholz.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë