Drejtësia

Të përfshirë në një vrasje në vitin 2018 në Dibër, arrestohen dy vëllezër në Gjirokastër

Gazeta Si – Dy vëllezër, të dyshuar për përfshirje në vrasjen e një personi në vitin 2018 në Dibër, janë arrestuar gjatë një operacioni policor të koduar me emrin “Twins”.

Sipas një njoftimi, në pranga ranë K.K., 39 vjeç, dhe K.K., 39 vjeç, të dy banues në Gjirokastër. Gjatë kontrollit të banesave të tyre, policia sekuestroi 3 armë zjarri, përfshirë 2 kallashnikovë dhe 1 pushkë, një thikë, 3 krehëra, municion luftarak, një maskë dhe 3 aparate celularë.

Armët e sekuestruara do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme, për të verifikuar nëse ato janë përdorur në vrasjen e vitit 2018 ose në ngjarje të tjera kriminale.

Hetimet po drejtohen nga Prokuroria e Dibrës, e cila ka nisur një punë intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj vrasjeje. Po ashtu, po vijon puna për kapjen dhe arrestimin e personave të tjerë të dyshuar për këtë ngjarje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë