Nga Gazeta ‘SI’ – 60% e shqiptarë nuk kanë mundësi të bëjnë pushime larg shtëpisë së tyre. Anketa e fundit e Barometrit të Ballkanit nga RCC, tregon se kjo është shifra më e lartë në të gjithë rajonin dhe se nuk ka asnjë përmirësim me vitin e shkuar.
Vetëm 39% e shqiptarëve kanë mundësi të bëjnë pushime larg shtëpisë, norma më e ulët në rajon. Ky rezultat duket të jetë pasojë e gjendjes së vështirë financiare, pasi 25% e shqiptarëve të anketuar thanë se të paktën një herë gjatë vitit kanë pasur vështirësi të paguanin faturat ujë-drita. 19% kishin pasur probleme me pagesën e kësteve të kredisë; 52% kishin probleme që të mbanin shtëpinë të ngrohë (nga 24% që është mesatarja rajonale); 21% nuk kanë mundësi të përballojnë furnizimet bazë si ushqime, apo veshje (nga 17% mesatarja rajonale).
Të dytët pas Shqipërisë janë malazezët, me 50% të të anketuarve që kanë pohuar se nuk janë në gjendje të përballojnë një javë pushime jashtë vendit. Për Maqedoninë e Veriut ky tregues është 47% dhe për Serbinë 45%.
Shtetasit e Kosovës, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve i kalojnë pushimet në Shqipëri mendojnë se janë në gjendje të përballojnë pushimet, shumë më tepër sesa shqiptarët. 38% e tyre kanë pohuar se nuk kanë mundësi të përballojnë pushime, ndërsa 58% e tyre mund t’i përballojnë ato.
Për të nëntën herë radhazi, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal publikon rezultatet e Barometrit Ballkanik – sondazhi vjetor i realizuar me gjashtë mijë qytetarë nga i gjithë Ballkani Perëndimor, duke dhënë një pasqyrë mbi opinionet e tyre rreth bashkëpunimit rajonal, integrimit në BE, besimit tek institucionet publike dhe media, shqetësimet e tyre më të mëdha, punësimi, ndryshimet klimatike, siguria, jeta digjitale, transporti, sundimi i ligjit, udhëtimet, etj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.