Shendet

Të paktën 5.2 milionë fëmijë kanë humbur një prind ose kujdestar për shkak të Covid-19

Sipas një studimi të fundit, të paktën 5.2 milionë fëmijë në mbarë botën kanë humbur një prind, gjysh apo anëtar të familjes që ka ndihmuar në kujdesin për ta ndaj Covid-19. Studimi, i botuar të enjten në revistën mjekësore “The Lancet Child & Adolescent Health”, pa të dhënat e vdekshmërisë për Covid-19 nga 21 vende që prej fillimit të pandemisë në mars 2020 deri në tetor 2021 dhe vlerësoi numrin e fëmijëve që humbën një prind ose kujdestar. Numri i fëmijëve të prekur u rrit me 90% nga fundi i prillit 2020 deri në fund të tetorit 2021.
Ndërsa përtej qëllimit të studimit, të dhënat në kohë reale duke përdorur të njëjtin model tregojnë se numri i fëmijëve që humbën një prind ose kujdestar është rreth 6.7 milionë që nga janari.
Kjo “pandemi” e fshehur që të thyen zemrën, siç e quajnë autorët, ka tejkaluar numrin e përgjithshëm të vdekjeve nga Covid-19, sipas totalit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Studimi pason një analizë të mëparshme të publikuar në korrik . Autorët thanë se mendonin që duhej ta përditësonin atë për shkak të “përhapjes së varianteve të reja të koronavirusit, të dhënave të përditësuara të vdekshmërisë dhe pabarazive në aksesin e vaksinave, rritën numrin e fëmijëve jetimë.

Autorët — duke përfshirë studiues nga Qendrat e SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, USAID, Bankën Botërore, Kolegjin Universitar në Londër dhe të tjera, besojnë se vlerësimi i tyre është konservator. Shumë vendeve u mungon një sistem i fuqishëm raportimi për vdekjet. Vdekja nga Covid-19 në Afrikë, për shembull, besohet të jetë 10 herë më e lartë se sa dihet.

Foto ilustruese-Pacientë me Covid-19 në spital,marrë nga interneti,2022.


Autorët thonë se drejtuesit e shëndetit publik duhet të kujdesen për këta fëmijë. Në përgjithësi, kur fëmijët humbasin një kujdestar, rritet rreziku i varfërisë dhe problemeve të shëndetit mendor, si dhe vulnerabiliteti i tyre ndaj shfrytëzimit dhe dhunës seksuale. Në disa raste, humbja e një prindi mund të rrisë gjithashtu mundësinë e një fëmije për t’u përfshirë me bandat ose ekstremistët e dhunshëm.

“Ne vlerësojmë se për çdo person të raportuar se ka vdekur si rezultat i pandemisë COVID-19, një fëmijë mbetet jetim ose humbet një kujdestar. Kjo është e barabartë me një fëmijë në çdo gjashtë sekonda që përballet me një rrezik të shtuar të fatkeqësisë gjatë gjithë jetës, përveç nëse jepet mbështetja e duhur në kohë”, tha në një deklaratë autorja kryesore Susan Hillis, e cila punoi në këtë studim ndërsa ishte në Qendrën Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
“Mbështetja për fëmijët jetimë duhet të integrohet menjëherë në çdo plan kombëtar të reagimit ndaj Covid-19.”
Në studim thuhet se planet e qeverive, duhet të përfshijnë sigurimin që të gjithë të kenë akses të barabartë në vaksina në mënyrë që asnjë fëmijë tjetër të mos humbasë një prind.
Shoqëritë gjithashtu duhet të sigurohen që këta fëmijë të kenë mbështetjen që u nevojitet për të trajtuar rreziqet e varfërisë dhe dhunës që mund të përjetojnë, si dhe të ofrojnë mbështetje për shëndetin mendor për rimëkëmbjen e tyre.
Burimi: CNN/ Pështati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë