Ngjarje

Të paktën 14 fëmijë të infektuar me salmonelë, prindërit në ankth: Kemi frikë t’i kthejmë në kopsht

Nga Gazeta Si- Deri më tani, 14 fëmijë janë konfirmuar të infektuar me Salmonelë në një kopsht shtetëror në Gramsh, ndërkohë që prindërit janë të shqetësuar, pasi kanë frikë se numri i të prekurve mund të shtohet.

Nga 79 persona të depistuar (fëmijë dhe staf), janë identifikuar 14 raste me Salmonella Enteritidis ndërkohë që priten dhe 6 analiza që të dalë rezultati.

Disa ditë pasi u bë publike ngjarja, prindërit kanë dalë në një protestë para bashkisë së Gramshit, duke kërkuar që ngjarja të zbardhet plotësisht. Prindërit kanë folur edhe për një tentativë për të fshehur ngjarjen dhe për ti ndaluar që të marrin pjesë në protestë.

“Unë kam folur dhe me prindër të tjerë dhe e di se nuk janë këtu sepse kanë frikë mos i heqin nga puna por unë nuk vë para fëmijës tim asgjë”, tha një nga prindërit e pranishëm në protestë.

Një tjetër prind tha se spitali ka vonuar përgjigjet për analizat si dhe reagimi i AKU-së ka ardhur shumë vonë.

“Provat nga AKU janë marrë pas 8 ditëve. Donin që këtë ngjarje ta mbyllnin dhe tani duan ta mbulojnë. Janë 14 të infektuar, mund të ketë edhe më shumë, nuk e dimë ende”, tha një nga prindërit, duke shtuar se kanë 10 ditë që intimidohen për të mos folur për këtë cështje.

Nëna e një prej fëmijëve te helmuar me salmonelë ka kërkuar garantimin e sigurisë ushqimore.

“Fëmija shfaqi temperaturë dhe të vjella të hënën dhe vazhdon prej 8 ditësh. Jemi të trembur, në gjendje ankthi. Kërkoj që të paktën për ushqimin të ketë siguri”, thotë ajo, duke shtuar se për prindërit, kjo është një ngjarje shumë e rëndë.

Helmimi i fëmijëve të kopshtit shtetëror në Gramsh po hetohet nga prokuroria e Elbasanit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë