Nga Gazeta Si - Nisma e Partisë Demokratike për ndalimin e filmave shqiptarë të para viteve ’90 në optikën e kineastëve dhe studiuesve është një nismë monstruoze dhe alogjike.
Kineasti Esat Musliu shprehet për Gazetën “Si” se nisma e Partisë Demokratike me Alibeaj në krye është jo e gabuar, por është një nismë naziste.
“Ky problem është rrahur para tre vjetësh njëherë në shtyp dhe janë shumë shkrime të intelektualëve të ndryshëm dhe të kineastëve që dalin kundër. Kjo nismë është naziste, pasi këtë gjë e ka bërë Gebelsi (politikan nazist gjerman) me veprat e veta. E cilësoj si një inkuizicion, sepse nuk është vetëm për filmat, por për të gjithë veprat e artit, sepse ata përmendin aty edhe muzikën, edhe pikturën, edhe lapidaret. Një gjë të tillë nuk e ka bërë asnjë shtet tjetër”, shprehet kineasti Musliu për Gazetën “Si”.
Partia Demokratike përmes një projektligji ende në proces, synon të ndalojë çdo mjet komunikimi, qoftë vepra krijuese intelektuale, që do të gjykohet sot, se në atë kohë i ka shërbyer propagandës komuniste.
Pjesë e listës janë filmat, monumente, lapidare, emërtime, vepra të muzikës, baletit, artit pamor e më gjerë, çdo gjë që do të gjykohet se ka përcjellë informacion të pavërtetë dhe në shërbim të diktaturës.
Kineasti Musliu shprehet se është vetëm koha ajo që bën seleksionimin e veprave të artit, në këtë rast filmit.
“Për të gjykuar veprat që janë bërë gjatë socializmit është koha. Është vetë koha që seleksionon veprat me vlerë dhe ata që janë pa vlerë, dhe dua të shtoj dhe telekomandën që ka njeriu në dorë që mund ta kalojë nga një stacion në një tjetër”, shprehet Musliu.
Të njëjtën gjë e pohon edhe kineasti Mevlan Shanaj.
“Koha e ka bërë shkëlqyeshëm përzgjedhjen dhe seleksionimin. Merruni me ndonjë aventurë tjetër! Populli di vetë çfarë zgjedhë, nuk mund t’i imponohet asnjë instrument politik”, shprehet Shanaj.
Edhe për regjisorin Shanaj nisma e Partisë Demokratike është një kërkesë absurde.
“Alibeaj paska propozuar në Kuvend ndalimin e filmave të para ‘90! Nëse është kështu, si themelues i PD, ndiej trishtim të konstatoj këtë kërkesë absurde nga PD. Ju them këtyre PD-istëve, se këtë ide, mes shqiptarëve nuk e përkrahin as 3 për qind e popullatës. Duket që po me këtë përqindje do ndahen zgjedhjet e ardhshme nëse hidhen teza të tilla”, shprehet regjisori dhe aktori Melvan Shanaj.
Kritik është edhe aktori Kastriot Çaushi. Sipas tij një nismë e tillë mohon historinë dhe kujtesën e një kombi.
Kineasti Musliu shton ndër të tjera se nëse censurohet arti i realizuar në atë kohë, Partia Demokratike do të humbë edhe më shumë pikë.
“Kjo nismë që do të ndërmarrë Partia Demokratike me Alibeaj në krye për të mohuar të gjithë kategorinë e artit që është bërë në kohën e komunizmit, është në dëm të tyre. Partia Demokratike po e bëri këtë punë, ka për të humbur edhe ato 5 vota që ka ndërmend të fitojë”.
Musliu ngre pyetjen “Çfarë do lexojë rinia, si do e njohë historinë e kombit të vet nëse mohohen gjithë veprat letrare dhe filmat?”.
“Rinisë nuk mund t’i mohosh historinë e kombit të vet. Ky sulm ndaj kinematografisë, është shumë e rëndë për ne artistët”, vijon Musliu për Gazetën “Si”.
Regjisori Shanaj u drejtohet atyre që kanë bërë këtë propozim për ndalimin e filmave shqiptarë, duke u shprehur se me këtë që po bëhet do të ndodhë të shtohet shikueshmëria e filmave.
“Korrigjoni shënjestrën nëse seriozisht mendoni se duhet ndryshuar Shqipëria! Kjo mendësi është pa asnjë vlerë ndryshimi! Do të ndodhë të shtohet shikueshmëria si për çdo gjë të ndaluar!”, vijon më tej regjisori Mevlan Shanaj.
Grupi i punës që ka punuar për paketën e dekomunistizimit përbëhet nga Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, sekretarja e PD-së për të Përndjekurit Politikë, Jonila Godole, Drejtorja e Fondacionit për Liri dhe Demokraci pranë PD-së Enriketa Papa si dhe Këshilltari Ligjor i Grupit Parlamentar të PD-së, Marash Logu.
Për zbatimin e këtij projektligji, siç citohet në relacionin shoqërues të firmosur nga 18 deputetë, mes të cilëve edhe ish-lideri i PD-së Lulëzim Basha, nuk do të krijohen organe të tjera shtetërore. Autoriteti Qendror, sipas tyre që do të merret me zbatimin e tij, do të jetë Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.