Nga Gazeta ‘SI’ – Raporti i varësisë së të moshuarve në Shqipëri, u rrit në 30.4% raporton Banka e Shqipërisë.
Matjet e sapopublikuara të BSH-së i referohen vitit 2023 dhe shprehin në përqindje, raportin e personave të moshuar + 65 vjeç me numrin e personave në moshë për të punuar, nga 15 deri në 64 vjeç. Në vitin 2001, ky tregues raportohej 11.9%.

Një parashikim i OKB-së për këtë tregues, thotë se deri në 2050-n, barra e të moshuarve mbi të rinjtë në Shqipëri do t’i afrohet normës 70%.
Për 2024-s, ky raport, parashikohet 39.5%. OKB parashikon që deri në fund të vitit 2030, ky raport do të jetë 46.7%, pra me një rritje të fortë të moshës madhore, kundrejt të rinjve.

Me anë të një grafiku tjetër, BSH tregon se të gjitha grupmoshat më të reja se 55 vjeç janë në rënie dhe vetëm grupmoshat më të mëdha vazhdojnë të rriten.
Emigracioni është shkaku kryesor i këtij trendi. Banka raporton se tregu i punës po operon në kushte të shtrënguara dhe po përjeton nivele të larta historike të rëndësisë së faktorit “Mungesa në fuqinë punëtore”.
Rënia e numrit të popullsisë dhe plakja e saj kanë implikime të rëndësishme për zhvillimin ekonomik e shoqëror. Një studim i FMN-së evidenton tre kanale kryesore veprimi. Së pari, rënia e numrit të popullsisë shoqërohet me tkurrje të forcës së punës. Së dyti, plakja e popullsisë ka implikime fiskale, në formën e rritjes së shpenzimeve relative për sektorin e shëndetësisë dhe – potencialisht – për skemën e pensioneve. Së treti, plakja e popullsisë shoqërohet – si rregull – me një rritje më të ngadaltë të produktivitetit të punës dhe të produktivitetit të përgjithshëm. Të tre këta faktorë, në vetvete dhe në ndërveprim me njëri–tjetrin, tentojnë të ngadalësojnë ritmin e rritjes ekonomike dhe ritmin e konvergjencës së të ardhurave mesatare për frymë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



